Eksportet shqiptare drejt Greqisë gjatë dymujorit të parë të këtij viti shënuan rritje me gati 2 herë, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

 

Sipas të dhënave zyrtare të Institutit të Statistikave, INSTAT, eksportet gjatë periudhës janar-shkurt, në vlerë llogariten 6.9 miliardë lekë, ndërsa në të njëjtën periudhë të 2022-shit ishin 3.6 miliardë lekë.

 

Shkëmbimet tregtare të Shqipërisë me Greqinë gjatë kësaj periudhe zunë 7.1 % të totalit të të gjithë tregtisë. Në vlerë ato arritën mbi 14.8 miliardë lekë.

 

Ndryshe nga eksportet importet e mallrave nga Greqia në Shqipëri, gjatë 2-mujorit shënuan rënie. Ato llogariten për periudhën 7.9 miliardë lekë, kur të të njëjtën periudhë, një vit më parë (2022) u importuan mallra në vlerë 9.2 miliardë lekë.

 

Në vlerën e mallrave të importuara nga shteti fqinj, vendin kryesor e zënë grupi i mallrave “minerale, lëndë djegëse, energji elektrike” në vlerën 3.8 miliardë lekë dhe grupi “tekstile dhe këpucë”. Importi i kësaj kategorie arriti për këtë periudhë vlerën e mbi 1 miliard lekëve./ATSH