Shqipëria është renditur e para në rajon në dimensionin e punësimit, sipas raportit të Organizatës për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ekonomik (OECD) mbi konkurrueshmërinë dhe zhvillimin e sektorit privat 2024.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja tha se, “sipas raportit të OECD mbi konkurreshmërinë, Shqipëria renditet e para në dimensionin e politikave të punësimit, me një rritje prej dy vendesh nga viti 2021, midis 6 vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
Gonxhja bëri të ditur se, këto përmirësime i detyrohen politikave të qeverisë në funksion të zhvillimit të tregut të punës.
“Këto përmirësime vijnë falë reformave të vazhdueshme për aktivizimin e tregut të punës dhe përpjekjeve për të fuqizuar zhvillimin e aftësive”, tha Gonxhja.
Raport i OEDC-së mbi Konkurrueshmërinë dhe zhvillimin e sektorit privat 2024, mat ecurinë e politikave në sferat kryesore të ekonomive të vendeve të Ballkanit Perëndimor, në drejtim të tregut të punës.
Sipas raportit, Shqipëria ka rezultatin më të lartë me 3.5 pikë në dimensionin e punësimit ndër 6 vendet e Ballkanit Perëndimor, duke lënë pas Malin e Zi me 3.4 pikë; Serbinë me 3.3 pikë; Maqedoninë e Veriut me 3.1 pikë; Bosnjë Hercegovinën me 2.2 pikë dhe Kosovën me 2 pikë./OraNews