Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit të Bashkimit Evropian në Shqipëri përmes një deklarate zyrtare është shprehur i shqetësuar se KLP po merr në konsideratë një projekt-vendim për rikthimin e ish-prokurorit Besnik Cani në radhët e prokurorisë.

 

 

Sipas tyre një vendim i tillë do të përcillte pasiguri ligjore dhe do të binte në kundërshtim me vendimin përfundimtar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që e shkarkoi subjektin e rivlerësimit, z. Besnik Cani, gjatë vetingut, pasi ky vendim është ende në fuqi.

 

Deklarata e plotë:

 

Bordi i ONM-së ka mësuar me shqetësim nga burime publike se Këshilli i Lartë i Prokurorisë po merr në konsideratë një projekt-vendim, i cili do të kishte si efekt rikthimin e z. Besnik Cani në radhët e prokurorisë.

 

 

ONM-ja është mandatuar nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë për të mbikëqyrur procesin e vetingut. Nëse këto burime janë të sakta, në bazë të mandatit të vet kushtetues, ONM-ja shpreh opinionin e saj se një vendim i tillë do të përcillte pasiguri ligjore dhe do të binte në kundërshtim me vendimin përfundimtar të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, që e shkarkoi subjektin e rivlerësimit, z. Besnik Cani, gjatë vetingut. Ky vendim është ende në fuqi.

 

ONM-ja i referohet me vëmendje të veçantë vendimit të Gjykatës Evropiane të të Drejtave të Njeriut (GJEND) në çështjen Besnik Cani kundër Shqipërisë. Në veçanti, ONM-ja vëren se GJEND-ja konstatoi se forma më e përshtatshme e trajtimit në lidhje me shkeljen e të drejtës së kërkuesit do të ishte rihapja e procedimeve gjyqësore, në rast se kërkuesi e kërkon këtë rihapje. Më tej, ONM-ja vëren se GJEND-ja e refuzoi shprehimisht kërkesën e z. Cani për rikthimin e tij të menjëhershëm në postin e mëparshëm, marrë parasysh edhe natyrën e shkeljes që u gjet në lidhje me procedurën e vetingut të kërkuesit.

 

Në këtë drejtim, ONM-ja thekson se të gjitha vendimet përfundimtare të vetingut mbeten në fuqi deri sa çështja të rihapet dhe të shqyrtohet nga gjykata kompetente me kërkesë të palës së interesuar.

 

Është tejet e rëndësishme të sigurohet që të gjitha institucionet shtetërore dhe autoritetet gjyqësore të respektojnë pavarësinë dhe juridiksionin ekskluziv të organeve të vetingut, të garantuara nga Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë, dhe të mos ndërmarrin veprime që bien drejtpërdrejt ndesh me vendimet përfundimtare të vetingut.

 

Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit do të vazhdojë të monitorojë përpikmërinë e procesit të vetingut, përfshirë respektimin e plotë të parimeve dhe të të drejtave të njeriut që qëndrojnë në themel të sistemit të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut.