Finalizohet operacioni policor i koduar “Outsider”, për zbardhjen e një vjedhjeje me armë zjarri, në fshatin Dukat i Ri. Operacioni, nga shërbimet e Komisariatit të Policisë Vlorë dhe të Stacionit të Policisë Orikum, si dhe nga strukturat hetimore të DVP Vlorë.
Të maskuar dhe nën kërcënimin e armës së zjarrit kallashnikov, vodhën një shumë parash, në zyrën e një firme ndërtimi, falë reagimit në kohë të Policisë dhe veprimeve të shpejta operacionale, kapet dhe vihet në pranga autori kryesor i vjedhjes. Vijon puna për kapjen e bashkëpunëtorit të tij.
I arrestuari, me precedent të theksuar penal, për vjedhje. Policia sekuestron automjetin e dyshuar të përdorur për kryerjen e vjedhjes dhe një celular.
Shërbimet e Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit për një rast vjedhjeje me armë, në zyrën e një firme ndërtimi, në fshatin Dukat i Ri, kanë organizuar punën në kuadër të operacionit policor të koduar “Outsider”, me qëllim kapjen dhe arrestimin e autorëve të këtij rasti.
Si rezultat i veprimeve të shpejta proceduralo-hetimore, me mbështetjen e inteligjencës informative, është zbardhur ky rast vjedhjeje, si dhe në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Fier, u kap dhe u vu në pranga shtetasi S. C., 32 vjeç, banues në Fier. 32-vjeçari, me precedent të mëparshëm penal në fushën e vjedhjes.
Nga hetimet ka rezultuar se shtetasi S. C., në bashkëpunim me një shtetas tjetër, në orët e para të mëngjesit të djeshëm, të maskuar dhe duke kërcënuar me një arme zjarri kallashnikov, kanë marrë një shumë parash, në zyrën e një firme private ndërtimi, në fshatin Dukat i Ri dhe më pas janë larguar me automjet.
Vijon puna intensive për identifikimin dhe kapjen e bashkëpuntorit të shtetasit S. C. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar automjeti që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së këtij krimi, si dhe një celular. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Vlorë, për veprime të mëtejshme.