Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë”, Belind Këlliçi në takim me fermerët e Baldushkut ka prezantoi planin për të ndihmuar zhvillimin e zonave rurale, dhe për ta zbutur koston e lartë të jetesës, me një program konkret.

 

Sipas Këlliçit, Bashkia e Tiranës do të krijojë një skemë financiare për mbështetjen direkte të fermerëve që do të investojnë në bujqësi.

 

“7 milionë euro të buxhetit tonë do të shkojnë çdo vit për financimin e skemave mbështetëse në bujqësi e blegtori, 7 milionë. 3 milionë për të mbështetur huamarrjen e fermerëve. 2 milionë euro do të shkojnë për produktet e prodhuara në Tiranë, për prodhuesit dhe tregtarët e tyre. 1 milionë euro si mbështetje për certifikimin organik dhe bio të produkteve bujqësore”.

 

Skema do të përfshijë jo vetëm subvencione financiare, por edhe krijimin e kushteve për shitjen e prodhimeve bujqësore. Belind Këlliçi në angazhimin e tij për të ndihmuar banorët e ish-komunave të lënë në harresë, deklaroi gjithashtu ndërtimin e të paktën 15 tregjeve me kushte moderne për shitjen e prodhimeve të fermerëve për qytetarët e Tiranës.

 

“Ngritjen e të paktën 15 tregjeve të gjelbra në Tiranë, sipas standardeve më të mira të sigurisë ushqimore me ujë të rrjedhshëm dhe mjete ftohëse ku do të tregtohen produktet agroushqimore. Zero taksa bashkiake për të gjithë fermerët që do të shesin produktet “Made in Tirana” që do të shesin produktet e tyre në tregjet e gjelbra në Tiranë. Mbështetja tjetër direkte për fermerët është: fermerët që do të certifikojnë organikisht produktet e tyre do të mbulohen shpenzimet në masën 50% dhe për fermerët që do të marrin hua në bankë për investime në agrikulturë apo agro turizëm, për investime në infrastrukturë, për kredi deri në 30 mijë euro, kredia do jetë me interes zero, sepse do ta përballojë një fond i posaçëm që do të vendoset nga bashkia e Tiranës”-tha Këlliçi.

 

Për realizimin e kësaj skeme, paratë do të gjenden nga buxheti i bashkisë, ndërsa theksoi se kostoja totale shkon rreth 5% të buxhetit. “Pra me 4-5% ti zgjidh problemin dhe ia lehtëson jetën gjithë fermerit të Tiranës. 140 fshatrave dhe një sipërfaqe me popullsi sa 30% e popullsisë totale. Unë mendoj se kjo është një paketë me këmbë në tokë” -tha Belind Këlliçi.

 

Ndërkohë, në një tjetër takim me banorët e Farkës, Belind Këlliçi përsëriti angazhimin e tij për transportin publik falas.

 

Ai shpjegoi përsëri se si do të arrihet te ky shërbim për 200 mijë qytetarë të Tiranës që e përdorin këtë shërbim.

 

Këlliçi u shpreh se për të lehtësuar xhepat e qytetarëve, mjafton vetëm 6.8% e buxhetit të bashkisë.