Kryeministri Edi Rama përcolli sot pamje nga Marshimi për Drejtësi që u mbajt dje në Prishtinë, ndërsa sot në Hagë nisja e gjykimit ndaj krerëve të ish-UÇK-së u përcoll me tubim solidariteti nga shqiptarët e Diasporës.

 

“Liria ka emër”, tha kryeministri ndërsa ndau në rrjetet sociale pamje nga Prishtina dje dhe Haga sot, që tregojnë pjesëmarrje masive të qytetarëve si dhe pankartat e shumta në mbështetje të ish-luftëtarëve të UÇK-së.

 

Ish-krerët e UÇK-së, Hashim Thaçi, Kadri Veseli, Rexhep Selimi e Jakup Krasniqi po akuzohen me pretendimin për krime lufte dhe të njëjtit po qëndrojnë në paraburgim prej nëntorit të vitit 2020.

Në nisje të procesit gjyqësor, jashtë u mblodhën një numër i madh qytetarësh nga Kosova dhe nga vende të ndryshme evropiane për të mbështetur ish-krerët e UÇK-së. Përmes protestës, qytetarët po kërkojnë gjykim të drejtë për ish-krerët e UÇK-së.