Qendra Shëndetësore e Libohovës, Gjirokastër është rindërtuar me standardet më të mira, në shërbim të 5500 banorëve të kësaj zone.

 

Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu dhe ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro vizituan nga afër qendrën e re.

 

Manastirliu tha se “stafi mjekësor po bën një punë fantastike, duke jetësuar ditë pas dite programet tona të kujdesit parësor”.

 

“Kjo qendër është më standarde bashkëkohorë ashtu sikurse ne u zotuam, që kjo qendër që i shërben më shumë se 5 500 banorëve do të gëzonte kushte më të mira infrastrukturore, por do të kishte edhe shërbime të reja. Qoftë shërbimet e reja sa i përkasin ndjekjes së sëmurëve kronikë, rimbursimi i fishave të diabetit, një tjetër shërbim që i shtohet paketës sonë të ofrimit të shërbimeve falas për të sëmurët kronikë, qoftë edhe vaksinës kundër HPV për vajzat 13-vjeçare”, nënvizoi Manastirliu.

 

Ministrja Manastirliu bëri të ditur se në të gjithë qarkun e Gjirokastrës janë rehabilituar 31 qendra shëndetësore dhe ambulanca.

 

“Projekti ynë vazhdon për të siguruar më shumë mjedise dhe shërbime cilësore. Për 2023 programi i rehabilitimit të qendrave shëndetësore vijon me 60 qendra shëndetësore dhe ambulanca, ku 8 prej tyre janë të qarkut të Gjirokastrës”, tha Manastirliu.

 

Ministrja Manastirliu foli edhe programin e ri të fishave të diabetit me rimbursim për të moshuarit.

 

“Shërbime të reja po ofrohen në këtë qendër shëndetësore, qoftë shërbimet e reja sa i përkasin ndjekjes të sëmurëve kronikë, që është rimbursimi i fishave të diabetit, një tjetër shërbim që i shtohet paketës tonë të ofrimit të shërbimeve falas për të sëmurët kronikë”,- tha Manastirliu.

 

Duke folur për programin e ri të vaksinimit kundër HPV, ministrja Manastirliu u shpreh se

“shtimi vaksinës të HPV, për mbrojtjen e shëndetit të vajzave tona, janë këto shërbime të reja që i shtohen sistemit tonë shëndetësor parësor për një kujdes më të mirë për shëndetin, duke filluar nga fëmijët tek të moshuarit”.

 

Ministrja Kumbaro tha se “në Libohovë kemi një nga qendrat model”.

 

Qendra shëndetësore Libohovë  është rehabilituar në fazën e parë të programit të qeverisë shqiptare për rehabilitimin e 300 qendrave shëndetësore. Kësaj qendre shëndetësore do t’i atashohen punonjësit e  shërbimit socio-shëndetësor, që përfshin punonjës social dhe psikolog, në mënyrë që shërbimet e integruara të ofrohen sa më afër komunitetit.