Shqipëria u prezantua në panairin më të madh të verës në Europë “VinItaly”, nga 20 prodhuesit më të mirë të verës në stendën e “Open Balkan”.
Prezent në këtë panair ka qenë edhe kryeminstri Edi Rama, i cili siç shihet edhe në postimin e tij në Facebook, ka qenë i shoqëruar nga Presidenti i Serbisë, Alexander Vucic dhe kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Dimitar Kovaçevski.
“Verona, Open Balkan Wine Vision – VinItaly është panairi më i madh i verës në Europë, ku prodhuesit shqiptarë të verës prezantohen për herë të parë, në stendën e Open Balkan dhe të treja vendet janë të ftuara të nderit në ditën e çeljes së dyerve”, shkruan kryeministri Rama.
Në fjalën e mbajtur bashkë me Vucic dhe Kovaçevskin, Rama theksoi se kur vjen fjala për procesin e integrimit në BE, jemi shumë të prirur të përmbushim detyrat dhe nuk do të kërkojmë përshpejtime artificiale.
Ndërkohë krahas këtij komenti, nuk ka lënë pa përmenduar edhe faktin se Gjermania po rrit numrin e fuqisë punëtore, gjë që ka prekur edhe vendin tonë, prandaj ai ka zgjedhur ta cilësojë si një shqetësim madhor.
“Duhet të jemi shumë të mirë në detyrat tona të shtëpisë, por ka disa gjëra që duhet të ndryshojnë. Jemi të shqetësuar për vrullin që kanë vende si Gjermania në kërkim të krahut të punës. Është legjitime që ta bëjnë këtë, por edhe ne jemi në qendër të Evropës dhe do të diskutojmë edhe për këtë në takimin e majit”, deklaroi Rama.