Sot është Dita Botërore e Mjedisit, e cila çdo vit i kujton njerëzve rëndësinë e natyrës për të rritur ndërgjegjësimin dhe për të ruajtur mjedisin.

 

Në Ditën Botërore të Mjedisit, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro në një postim në rrjetet sociale i bëri apel qytetarëve të mbajnë pastër mjedisin.

 

Sipas saj, kjo nuk arrihet dot vetëm, pa ndihmën dhe bashkëpunimin e secilit prej qytetarëve.

 

“Me reflektimin se natyra nuk është një vend që e vizitojmë herë pas here, por është shtëpia jonë e vetme ku jetojmë ditë për ditë dhe nuk e mbrojmë dot vetëm, pa ndihmën dhe bashkëpunimin e secilit prej jush. E nëse s’ndihmon dot, të paktën mos ndot”, tha  Kumbaro.

 

Dita Ndërkombëtare e Mjedisit u caktua 50 vjet më parë nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së.

 

Qëllimi i këtij vendimi ishte për të shtuar ndërgjegjësimin rreth çështjeve të mjedisit dhe për të tërhequr vëmendjen politike ndaj këtyre çështjeve si dhe për të nxitur veprimin individual në këtë drejtim. 5 qershori u zgjodh si datë sepse përkon me ditën e hapjes së Konferencës së Kombeve të Bashkuara mbi Mjedisin, që u mbajt në vitin 1972 në Stokholm, nën udhëheqjen e Programit Mjedisor të Kombeve të Bashkuara.