Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro ka bërë të ditur se sot në ditën e dytë në “FESTA” do të ketë panele shumë interesante të Konventës Ndërkombëtare të Turizmit “E ardhmja e turizmit të qëndrueshëm dhe mjedisor në Shqipëri” që nisi dje në Tiranë.

Kumbaro u shpreh se, “në këtë forum marrin pjesë bashkëpunëtorë nga 38 vende të botës dhe me pjesëmarrjen e veçantë të zv/presidentit Ekzekutiv të Komisionit Europian Frans Timmermans, njëherazi lideri i Agjendës së Gjelbër në BE, dhe Sekretarit të Përgjithshëm të UNWTO Zurab Pololikashvili, si mesazhi më i qartë në mbështetje të modelit tonë për zhvillim të turizmit në harmoni me mjedisin”.

Në Tiranë nisi dje forumi ndërkombëtar i turizmit  “FESTA”, i cili mbledh për 3 ditë më shumë se 300 pjesëmarrës nga 38 vende të botës.

 

Gjatë tre ditëve të forumit, 70 folës të ndarë në 7 panele tematike diskutohen tema të rëndësishme lidhur me turizmin e qëndrueshëm dhe trendet e së ardhmes së tij, si roli i qeverive, strategjitë e zhvillimit, brandimi, profesionet dhe profilet e reja të këtij sektori.