Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock i ka bërë thirrje Rusisë të ndalë vendosjen e minave në tokat bujqësore në Ukrainë.

 

 

Sipas ICBL, Rusia ka vendosur 7 lloje minash të rrezikshme në Ukrainë.

 

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock i ka bërë thirrje Rusisë të ndalë vendosjen e minave në tokat bujqësore në Ukrainë. Minat shkaktojnë shumë viktima civile, si edhe pengojnë fermerët në Ukrainë të mbjellin fushat apo të vjelin të korrat e tyre, tha Baerbock në një njoftim të Ministrisë së Jashtme të Gjermanisë në Berlin. “Me këtë Rusia shkurton ofertën e artikujve ushqimorë në tregun botëror dhe ashpërson kështu gjendjen e urisë në botë.”

 

 

Ministrja e Jashtme gjermane u shpreh në Ditën Ndërkombëtare për Rreziqet e Minave të martën (04.04.). “Minat kundër njerëzve janë armë mizore. Ajo janë arsyeja pse nënat dhe baballarët në vende si Bosnje-Hercegovina, Kambodxha, Iraku edhe disa dekada më pas konfliktit çdo herë kanë frikë për fëmijët e tyre kur dalin të luajnë jashtë”, ka theksuar Baerbock.

 

Sipas të dhënave të fushatës ndërkombëtare për ndalimin e minave tokësore, ICBL, nga viti i kaluar Rusia ka vendosur në Ukrainë të paktën shtatë lloje të ndryshme të minave tokësore të papranueshme nga bashkësia ndërkombëtare. Minat tokësore janë shpesh të mëdha sa një pjatë dhe mund të shpërndahen nga ajri me raketa ose nga toka në hapësira të mëdha. Ato qëndrojnë në tokë dhe shpërthejnë nëse afrohet dikush ose i shkel. Shumica e viktimave nga mina të tilla janë deri më sot civilë.

 

Në vitin 1999 hyri në fuqi Konventa e Otavës, që i kushtohet luftës kundër vendosjes së minave tokësore. Kjo marrëveshje ndërkombëtare ndalon prodhimin, magazinimin dhe shpërndarjen e minave tokësore. Shtete të rëndësishme si SHBA, Rusia, Kina dhe India nuk i janë bashkuar kësaj marrëveshjeje. /DW