Anëtarët e grupit kriminal që në fakt më së shumti u njohën si të pandehurit e dosjes 338 janë njohur ditën e djeshme me vendimet e formës së prerë në lidhje me disa akuza për të cilat ishin hetuar dhe gjykuar në dy shkallë të gjyqësorit.
Po ndërkohë që nga njëra anë shihen ndryshimet e vendimeve të dënimeve për një pjesë të mirë të grupit, ajo që ra në sy gjatë vendimit të djeshëm ishte prishja e vendimit të dënimit të shkallës së parë për Astrit Avdylin, atë që u konsiderua edhe si një nga protagonistët e atij grupi kriminal, në aktivitetin e të cilit ishte përfshirë jo vetëm trafiku i drogës por edhe ndërhyrja në zgjedhje me blerje votash për subjektin politik Partia Socialiste.
Kështu Gjykata e Posaçme e Apelit për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar vendosi të martën më 4 prill 2023 të prishë vendimin e shkallës së parë për dënimin me 12 vjet heqje lirie të Astrit Avdylit për pjesëmarrje në një grup të strukturuar kriminal në Shijak, me aktivitet kryesor trafikun e lëndëve narkotike, si dhe të dhe për dënimin e të pandehurit Fatos Llaftiut me 3 vjet heqje lirie për moskallëzim krimi.
Apeli ka ndryshuar vendimmarrjen për katër të pandehurit e tjerë, duke i ashpërsuar masat e dënimit për dy prej tyre dhe dy të tjerët u shpallën fajtorë për akuza që u ishin pushuar një vit më parë. Një prej të pandehurve i deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat u gjet fajtor dhe u dënua me 10 vjet burg.
Vendimi i shkallës së parë dhe i apelit
Fiks një vit më parë, ose më saktë më 4 shkurt 2022, trupi gjykues i shkallës së parë, i përbërë nga gjyqtarët Atalanta Zeqiraj, Erion Bani dhe Sokol Pina vendosi dënimin me 12 vjet burg për të pandehurin Astrit Balliu (Avdyli, Sulejmani) për kryerjen e veprës penale “Trafikimi i narkotikëve”, në bashkëpunim në formën e grupit të strukturuar kriminal; “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”. Vendimmarrja për Avdylin u gjet e pabazuar nga trupi gjykues i Apelit, i kryesuar nga gjyqtarja Igerta Hysi dhe anëtarë Iliriana Olldashi dhe Engert Pëllumbi, e cila vendosi prishjen e vendimit dhe kthimin e akteve për rigjykim me një tjetër trup gjykues.
Për rigjykim u kthye edhe Fatos Llaftiu, i cili ishte dënuar me tre vjet burg për moskallëzim krimi. I pandehuri Jasin Kala (Avdyli) u dënua në shkallë të parë me 7 vjet burg për “Pastrim parash”, ndërsa u deklarua i pafajshëm për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”; “Grupi i strukturuar kriminal” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, me arsyetimin se nuk provohej se fakti ekzistonte.
Bazuar në të njëjtat akte, Apeli e ndryshoi këtë vendim dhe e deklaroi atë fajtor edhe për veprat që kishte marrë pafajësi. Si përfundim, Jasin Kala u dënua me 12 vjet burg, të cilin duhet ta vuajë në një burg të sigurisë së lartë. Për të pandehurit Iskënder Sala (Mehmet Gjini) dhe Xhemal Shala, Apeli vendosi dënim të njëjtë prej 15 vitesh. Apeli rrëzoi edhe vendimin e pafajësisë për të pandehurin Denis Llaftiu, duke vendosur dënimin përfundimtar me 10 vjet heqje lirie dhe që ta vuajë në një burg të sigurisë së lartë.
Hetimet për këtë grup nisën në vitin 2016 për dyshimet për trafik të lëndëve narkotike, por përgjimet e grupit kriminal dhe bashkëpunëtorëve të tyre në Durrës, Kavajë, Lezhë dhe Dibër, zbuluan mes të tjerash një angazhim të të dyshuarve në mbështetjen e zyrtarëve socialistë në fushatat e tyre zgjedhore në zgjedhjet e parakohshme në Dibër në 11 shtator 2016 si dhe më pas, në zgjedhjet e përgjithshme parlamentare të vitit 2017, sërish në mbështetje të Partisë Socialiste.