Vullkani ‘Nevado del Ruiz’ i vendosur në kufirin e departamenteve Tolima dhe Caldas në Kolumbi, akoma mbetet nën një alarm portokalli për shkak të rrezikut të mundshëm të shpërthimit.

 

Që nga orët e mëngjesit të djeshëm, autoritetet kanë evakuuar në mënyrë parandaluese njerëzit që ndodhen në zona me rrezik të lartë.

 

Vullkani shkaktoi katastrofën më të keqe natyrore në historinë e vendit në nëntor të vitit 1985 kur shpërtheu, duke shkaktuar llavë dhe rrjedhë balte nga mbeturinat vullkanike që përfshiu qytetin Armero dhe duke lënë të vdekur më shumë se 23 mijë njerëz.

 

Javën e kaluar, qeveria ngriti nivelin e alarmit të vullkanit pas një rritje të aktivitetit vullkanik.

 

Sipas autoriteteve, një shpërthim i mundshëm mund të prekë rreth 57 mijë familje në 27 komuna. Rreth 40 familje që jetojnë në shpatet e vullkanit tashmë janë evakuuar, ndërsa të tjerët kanë refuzuar të largohen nga shtëpitë e tyre.

 

Ka disa zona të largëta ku mungesa e një sinjali televiziv i ka penguar autoritetet të arrijnë te njerëzit në rrezik, ndaj janë kthyer në përdorimin e radiove për qëllime komunikimi. Turistëve që udhëtojnë në zonë u është mohuar hyrja për arsye të sigurisë.

 

Presidenti Gustavo Petro udhëhoqi disa takime të hënën dhe të martën për të vlerësuar situatën e vullkanit dhe numrin e njerëzve që po evakuohen brenda 15 kilometrave nga maja e vullkanit të mbuluar me borë.

 

Drejtori i rreziqeve gjeografike në Shërbimin Gjeologjik Kolumbian, Makario Londono-Bonilla, tha se para 24 marsit në vullkan kishte 50 aktivitete sizmike në ditë, ndërsa tani ka më shumë se 5 mijë aktivitete sizmike në një ditë të vetme.

 

"Kjo tregon një lëvizje të magmës që po përpiqet të ngjitet drejt kraterit dhe karakteristikë tjetër është lëshimi i gazit dhe hirit në një mënyrë të vazhdueshme në ditët e fundit", tha Londono-Bonilla./AA