Türkiye ka njoftuar se hapësira ajrore e saj nga 3 prilli deri më 3 qershor do të jetë e mbyllur për fluturimet drejt dhe nga Aeroporti Ndërkombëtar Sulaymaniyah në Irak për shkak të aktiviteteve terroriste të PKK-së në rajon.

 

Tanju Bilgiç, një zëdhënës i Ministrisë së Punëve të Jashtme të Türkiyes, konfirmoi se nga 3 prilli hapësira ajrore turke është e mbyllur për avionët që përdorin për ulje dhe ngritje aeroportin e qytetit Sulaymaniyah.

 

Ministria turke njoftoi se kjo masë vjen pasi organizata terroriste PKK rriti aktivitetet e saj në rajonin e qytetit Sulaymaniyah, duke shtuar se grupi terrorist gjithashtu “kërcënoi” sigurinë e fluturimit.

 

Në njoftimin e ministrisë po ashtu theksohet se masa pritet të qëndrojë në fuqi deri më 3 qershor dhe do të rishikohet në dritën e zhvillimeve të monitoruara nga afër.

 

Në fushatën e saj terroriste mbi 35-vjeçare kundër Türkiyes, PKK-ja e listuar si një organizatë terroriste nga Türkiye, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian (BE), ka qenë përgjegjëse për vdekjen e të paktën 40 mijë njerëzve, përfshirë shumë gra, fëmijë dhe foshnje.

 

Terroristët e PKK-së posedojnë strehimore në Irakun verior përtej kufirit turk, të cilat i përdorin për të komplotuar sulme në Türkiye./AA