Solidariteti i Kosovës ndaj Ukrainës është veçanërisht i dukshëm edhe pse Ukraina ende nuk e ka njohur Kosovën si shtet sovran. Megjithatë, populli i Kosovës ka treguar ndjeshmëri të thellë për vuajtjet e ukrainasve dhe u kanë qëndruar pranë në këto ditë të vështira.

Kështu u shpreh ambasadori gjerman në Kosovë, Joern Rohde në pritjen që ambasadat e QUINT-it dhe Zyra e BE-së organizuan për nder të Ditës Kombëtare të Ukrainës.

Aty u nderuan gazetarët ukrainas që jetojnë në Kosovë përmes Iniciativës Hannah Arendt të Qeverisë gjermane.

Ambasadori Rohde në emër të ambasadorëve të QUINT-it dhe Zyra e BE-së, tha se janë mbledhur jo vetëm për të festuar Ditën e Pavarësisë së Ukrainës, por për të nderuar shpirtin e dashur që kombi ukrainas ka treguar në mbrojtjen e lirisë dhe demokracisë.

Ai shtoi se kjo është Dita e tretë e Pavarësisë që festohet nën hijen e pushtimit brutal dhe të paprovokuar të Rusisë.

Gazetarja  nga Ukraina, Iryna Synelnyk falënderoi shtetin e Kosovë dhe shtetet tjera mbështetëse për mbështetjen dhe solidaritetin, duke thënë se kjo është festa kryesore publike për ukrainasit, por është hera e tretë që festojë gjatë luftës.

Ajo shtoi se duke qenë se ukrainasit janë një popull i guximshëm dhe i qëndrueshëm, ata po vazhdojnë të luftojnë për lirinë dhe integritetin e tyre territorial.

E ndërsa kujtoi se sa të lumtur ishin para luftës, shtoi se tani në vendin e saj, askush nuk mund të ndihet i sigurt.

“Askush në vendin tim nuk mund të ndihet i sigurt. Askush nuk e di se çfarë do të ndodhë në momentin tjetër. Mijëra ukrainas, ushtarakë dhe civilë u vranë gjatë luftës, miliona janë bërë refugjatë. Ne po paguajmë një çmim të lartë për lirinë tonë. Dhe ne e kuptojmë se mbrojmë jo vetëm veten, por edhe paqen dhe qetësinë e vendeve fqinje. Unë dhe kolegët e mi mund të jemi me fat sepse patëm mundësinë të jemi pjesë e programit ndërkombëtar të strehimit në Kosovë. Ne kemi zbuluar Kosovën si vend dhe njerëzit e Kosovës që kanë zemër të madhe dhe janë bërë miq të vërtetë për ne. Gjëja më e vlefshme për ne është se ju i keni mbijetuar luftës, i kuptoni shumë mirë ukrainasit. Ne kemi një mision që të jemi zëri i Ukrainës në Ballkan dhe t’u tregojmë njerëzve në Ukrainë për Kosovën”, tha ajo.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se një nga format e para të ndihmës që Kosova i ofroi Ukrainës ishte programi i strehimit të gazetarëve, i cili vazhdon edhe sot e kësaj dite, e ku përmes kësaj iniciative Kosova i ka dhënë 18 gazetarëve ukrainas statusin e mbrojtjes së përkohshme, në mënyrë që ata të mund të vazhdojnë punën e tyre. Sipas tij, 12 prej tyre ende jetojnë dhe punojnë në vendin tonë duke formuar një pjesë integrale të peizazhit tonë të gjallë dhe të larmishëm mediatik, në të vërtetë sigurimi i hapësirës së sigurt dhe mikpritëse për gazetarët është një nga arritjet më krenare të qeverisë në mbrojtjen dhe promovimin e lirisë së medias.

Ai tha përveç mbështetjes sonë për gazetarët ukrainas, Kosova ka hequr përkohësisht regjimin e vizave për qytetarët ukrainas në përgjithësi dhe ka hedhur bazat për strehimin e deri në 5000 refugjatëve nga konflikti.

“Ne kemi miratuar 13 paketa sanksionesh të BE-së kundër Rusisë, Bjellorusisë… Dhe ne i kemi mbështetur të gjitha sanksionet e SHBA-së edhe ndaj këtyre vendeve, në bashkëpunim me matkosova (mendje, veprim, trajnim) dhe EUcom, komanda evropiane e SHBA-së, FSK-ja ka trajnuar 140 ukrainas në fushën e deminimit. Dhe së bashku ne po ofrojmë trajnime për rekrutët ukrainas në taktikat luftarake. Deri më tani, 34 000 rekrutë janë trajnuar përmes këtij operacioni. Dhe pikërisht gushtin e kaluar, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Ukrainës, qeveria jonë iu bashkua zyrtarisht deklaratës së përbashkët të G7 për mbështetjen e Ukrainës. Mbështetja e Kosovës për Ukrainën në këtë kohë nevoje tregon përkushtimin tonë për të vepruar me partnerët tanë ndërkombëtarë kundër agresionit të paligjshëm dhe të paprovokuar të Rusisë”, tha ai.

Sipas tij, Rusia ishte gjithmonë antiperëndimore, përgjithësisht joevropiane, dhe tani është bërë antievropiane, prandaj, lufta çlirimtare në Ukrainë është luftë evropiane në Evropë për Evropën, dhe solidariteti ynë është detyra jonë që i përkasim kontinentit evropian.

Pritja e mbajtur në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës përfshiu gjithashtu ekspozitën me fotografi nga Ukraina.

/KosovaPress/