Dy të rinj kanë rënë në prangat e policisë, pasi u kapën duke transportuar 13 emigrantë të paligjshëm.

 

 

Burime zyrtare bënë me dije se pas hekurave ranë shtetasit me inicialet K. A., 24 vjeç dhe E. A., 32 vjeç, të dy banues në Shkodër.

 

NJOFTIMI I POLICISE

Finalizohet operacioni policor i koduar “Pararoja 2”, për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë shtetasve të huaj, kundrejt fitimit, për kalim të paligjshëm të kufirit.

 

Operacioni u zhvillua nga Seksioni për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme, Komisariati i Policisë Vorë dhe Forca e Posaçme Operacionale.

 

Vihen në pranga 2 shtetas që u kapën në flagrancë duke transportuar 13 emigrantë, kundrejt pagesës 600 euro për person, me qëllim që të kalonin kufirin në mënyrë të paligjshme.

 

 

Procedohen penalisht edhe 13 emigrantët, për kalim të paligjshëm të kufirit.

 

Sekuestrohen 2 automjete dhe 3 aparate celulare.

 

Specialistët e Seksionit për Trafiqet e Paligjshme, shërbimet e Komisariatit të Policisë Vorë dhe të Forcës së Posaçme Operacionale, në vijim të punës për goditjen e paligjshmërisë, pas një pune hetimore, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, organizuan dhe finalizuan operacionin “Pararoja 2”, si rezultat i të cilit u bë arrestimi në flagrancë i shtetasve:

 

– K. A., 24 vjeç dhe E. A., 32 vjeç, të dy banues në Shkodër.

 

 

Këtas shtetas janë kapur në flagrancë nga shërbimet e Policisë, në Vorë, duke transportuar me 2 automjete, 13 emigrantë, të cilëve, kundrejt pagesës 600 euro për person, iu kishin premtuar transportimin nga Saranda në drejtim të Shkodrës, me qëllim kalimin e tyre në pikën kufitare me Malin e Zi, me destinacion final vendet e BE-së.

 

Në vijim të veprimeve u proceduan penalisht 13 emigrantët e paligjshëm, për veprën penale “Kalimi i paligjshëm i kufirit shtetëror”.

 

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme.