Gjykata e Korçës caktoi sot masën ‘arrest me burg’ për Shefki Bylykbashin, i cili vrau djalin e tij, 50-vjeçarin Hamdi Bylykbashin.

 

 

Në një dalje për mediat, avokati i autorit të dyshuar dha detaje nga seanca gjyqësore, ndërsa parashtroi disa detaje nga dita kur ndodhi krimi.

 

 

 

“Ka dyshime se mund të mos jemi në këto vepra penale, por mund të jemi në kushtet e vrasjes për vetëmbrojtje, apo për shkak të kushteve të vrasjes si pasojë e tronditjes psikike për shkak të sjelljes permanente dhe në ditën e ngjarjes, të viktimës. Viktima ka pasur varësi të theksuar alkooli dhe ushtronte dhunë permanente ndaj prindërve të vetë. Edhe ditën e ngjarjes viktima ka ardhur në shtëpi, dhe ka ushtruar dhunë ndaj babait të tij. Prokuroria ka kryer dhe ekzaminime mjeko-ligjore dhe më pas ka precipituar situata. Klienti im pohon se ka pasur një tentativë të viktimës për ta hedhur në pus, dhe ai ka përdorur për vetëmbrojtje një çekiç duke e goditur në kokë. Ka pasur dhunë fizike e verbale, dhe fjalor poshtërues. Viktima është trajtuar për 3 javë për të lënë alkoolin, por ai nuk e ka respektuar, duke reaguar dhe dhunshëm. Ka shprehur pendesë, ka qarë gjatë gjithë kohës në sallë.”, tha avokati Nevzat Tarelli.