Forca e Përkohshme Paqeruajtëse e Kombeve të Bashkuara në Liban (UNIFIL), e cila vepron në kufirin libanezo-izraelit, paralajmëroi se situata aktuale në rajonin kufitar është “shumë e rrezikshme”, transmeton Anadolu.

 

Zyra e Shtypit e UNIFIL-it publikoi një deklaratë pas lëshimit të raketave drejt Izraelit nga jugu i Libanit dhe kundërpërgjigjes nga pala izraelite.

 

“Sot pasdite nga jugu i Libanit drejt Izraelit u hodhën raketa”, thuhet në deklaratë.

 

“Ushtria izraelite ka informuar UNIFIL-in se kanë aktivizuar sistemin e mbrojtjes ajrore ‘kupola e hekurt’”, theksohet më tej.

 

Ndërkaq, komandanti i UNIFIL-it, Aroldo Lazaro, ka thënë:

 

“Jemi në kontakt me autoritetet në të dy anët e linjës së kaltër. Situata aktuale është shumë e rrezikshme. UNIFIL u bën thirrje palëve të shmangin menjëherë përshkallëzimin dhe të jenë të përmbajtura”.

 

Ushtria izraelite më herët tha se një sërë raketash u lëshuan nga Libani drejt rajoneve veriore të vendit dhe se në këto rajone janë aktivizuar sirenat paralajmëruese.

 

Shërbimi i urgjencës, Ylli i Davudit, tha se një izraelit i goditur nga copëza të raketës është plagosur lehtë, kurse një person tjetër është plagosur duke ikur për t’u strehuar.

 

Ushtria izraelite është kundërpërgjigjur duke goditur me artileri pjesën jugore të Libanit.