Katër liderë perëndimorë mbërritën në Kiev të shtunën, 24 shkurt, për ta shfaqur mbështetjen e tyre për Ukrainën në ditën e dyvjetorit të pushtimit të saj nga Rusia, i cili u ka kushtuar me jetë dhjetëra mijëra njerëzve dhe e ka shkatërruar ekonominë e vendit.
Kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni, kryeministri i Kanadasë, Justin Trudeau, si dhe ai i Belgjikës , Alexander De Croo, udhëtuan me tren nga Polonia drejt Kievit së bashku me presidenten e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Sot në Kiev mbahet një seri ceremonish për të kujtuar brutalitetin e pushtimit dhe rezistencën vendase me rastin e dy vjetorit të fillimit të agresionit rus në Ukrainë. Pasdite do të ketë një takim virtual të G7, i pari i organizuar nga presidenca italiane. Ndërkohë, Londra ka përgatitur një paketë të re të madhe ndihme dhe ka njoftuar financimin me 245 milionë £ për të furnizuar ushtrinë ukrainase me municion.
"Italia është atje dhe mendoj se kjo merr më shumë kuptim tani që jemi edhe vend president i G7. Ne vazhdojmë të garantojmë mbështetjen tonë për Ukrainën, sot do të nënshkruajmë edhe garancitë tona të sigurisë sepse besojmë se në Ukrainë po luftojmë edhe për lirinë dhe interesin tonë kombëtar” deklaroi në Kiev kryeministrja Giorgia Meloni.
"Ajo që ka ndodhur në dy vitet e fundit, me shpërthime krizash që shtohen, është rezultat i atij pushtimi - shtoi ajo -. Kur rregullat e së drejtës ndërkombëtare dështojnë, ne gjejmë veten në një botë në të cilën ai që është ushtarakisht më i fortë pushton fqinjin e vet.”