Sipas të dhënave, flokët rriten mesatarisht me rreth një centimetër në muaj.
Një centimetër në muaj tingëllon si një kohë shumë e ngadaltë, dhe shpesh nuk kemi durim për këtë. Kjo mund të shpjegojë më së miri si markat për kujdesin e flokëve kanë përfituar pothuajse nga dëshira e të gjithëve për t’i rritur flokët më shpejt, që të shesin produktet e tyre.
Nëse jeni vërtetë të interesuar si t’i bëni flokët tuaj të rriten më shpejt, AgroWeb.org ju njeh më poshtë me disa këshilla.
Çfarë i bën flokët të rriten në mënyrë natyrale?
Në terma teknikë, rritja e flokëve ndodh në rrënjën e tyre, aty ku përthithen lëndët ushqyese të nevojshme për rritjen dhe shëndetin e tyre.
Flokët tuaj rriten natyrshëm me një shpejtësi të paracaktuar gjenetikisht.
Nëse flokët tuaj duan shumë kohë të rriten, ju duhet të siguroheni që të keni në sasi optimale lëndët ushqyese kryesore, ku përfshihet vitamina D3, hekuri, zinku, folati dhe vitamina B12.
Sepse, kur ndonjë prej këtyre lëndëve është në sasi të pamjaftueshme, kjo mund të ngadalësojë procesin rritjes.
A mund ta përshpejtoni rritjen e flokëve?
Përshpejtimi i procesit të rritjes së flokëve nuk është aq i lehtë sa disa njerëz e bëjnë të duket.
Asnjë produkt nuk është në gjendje t’i bëjë flokët tuaj të rriten më shpejt.
Megjithatë, nëpërmjet stimulimit, mund të ruani shëndetin e tyre, duke bërë të mundur ruajtjen e gjatësisë së tyre.
Këshilla për flokë të shëndetshëm:
-Lajini rregullisht me shampo dhe zbutës (të paktën një herë në javë).
-Ndiqni një regjim të shëndetshëm ushqimor.
-Prisni rregullisht majat dyshe.
-Përdorini sa më rrallë stiluesit me nxehtësi.
-Shmangni trajtimet kimike.
-Shmangni modelet e flokëve që tërheqin shumë lëkurën e kokës.
Mbani mend! Flokët rriten gjithmonë, pavarësisht çdo gjëje, por nëse rriten ngadalë, atëherë duhet të bëni analiza gjaku për të parë nëse lëndët ushqyese kryesore janë të ulëta.