Drejt Izraelit janë kryer sulme me raketa në përgjigje të sulmeve ajrore që ushtria izraelite kreu ndaj Rripit të Gazës.
Në një deklaratë me shkrim ushtria izraelite njoftoi se nga Gaza nën bllokadë janë lëshuar raketa ndaj vendbanimeve izraelite në kufi.
Në deklaratë vihet në dukje se shtatë raketat e lëshuara nga Gaza janë shkatërruar të gjitha në ajër dhe se në zonat kufitare nuk janë shënuar humbje jete. Gjithashtu bëhet e ditur se kanë rënë sirenat paralajmëruese përreth njësive të vendbanimeve izraelite përreth Rripit të Gazës.
Sirenat paralajmëruese kundër sulmeve kanë rënë edhe në Siderot, İbim, Niram, Karmia dhe HaAssara që kanë qenë në objektivin e sulmeve. Askush nga grupet e rezistencës palestineze në Gaza nuk e ka marrë përsipër autorësinë për sulmet me raketa.
Ndërkohë në një deklaratë me shkrim nga Zyra për media e kryeministrisë izraelite thuhet se kabineti i sigurisë në kuadër të rekomandimeve të ushtrisë izraelite dhe institucioneve të sigurisë ka marrë një sërë vendimesh lidhur me raketat e lëshuara nga Libani.
Mediat izraelite njoftuan se në qytetin e Tel Avivit janë hapur bunkerët kundër mundësisë së sulmeve nga Gaza.
- Çfarë ka ndodhur ?
Ndërhyrja e policisë izraelite dy net njëra pas tjetrës duke përdorur forcë jo proporcionale me bomba zëri, plumba plastik dhe shkopinj gome ndaj muslimanëve në Xhaminë Al-Aksa, përshkallëzoi tensionet dhe shkaktoi incidente në Kudsin Lindor.
Ushtria izraelite njoftoi se një seri raketash u lëshuan nga Libani drejt rajoneve veriore të Izraelit dhe se në rajonet në veri të vendit janë aktivizuar sirenat paralajmëruese. Ministria e Jashtme izraelite tha se në sulme u lëshuan 34 raketa. Ndërsa ushtria izraelite informoi se edhe në orët e mbrëmjes nga Libani janë hedhur 3 predha mortaje në veri të Izraelit.
Shërbimi i ndihmës së urgjencës "Ylli i Kuq i Davidit" tha se në sulme u plagos lehtë një izraelit që u godit nga copëzat dhe se një person është plagosur teksa shkonte në strehimore.
Ushtria izraelite njoftoi se sulmet me raketa u kryen nga elementë të Hamasit të vendosur në Liban dhe fajësuan Hamasin. Ushtria izraelite tha se edhe qeveria e Libanit ka përgjegjësi për lëshimin e raketave nga territori i saj drejt Izraelit./AA