Kryeministri Albin Kurti bashkë me zëvendëskryeministrin Besnik Bislimi ka takuar ambasadorët dhe zëvendësambasadorët e vendeve të QUINT-it dhe përfaqësuesen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë.

 

Në takim, sipas njoftimit për media të Kryeministrisë, u diskutua për procesin e zbatimit të Marrëveshjes Bazike me Serbinë dhe Planin e Zbatimit të adoptuar me 18 mars ndërmjet të dyja shteteve.

 

“Kryeministri Kurti dhe zv. Kryeministri Bislimi informuan përfaqësuesit diplomatikë mbi rezultatet e takimit të fundit në Bruksel me 4 prill, dhe pritjet e tij nga ky proces në javët dhe muajt në vazhdim”, u tha në këtë komunikatë.

 

Ambasadorët, thotë më tej njoftimi i Qeverisë, shprehën përkushtimin e tyre të plotë për zbatim gjithëpërfshirës dhe të pakushtëzuar të marrëveshjes.

 

“Kërkuan gjithashtu që procesi i anëtarësimit të Republikës se Kosovës në Këshillin e Evropës dhe pranimi i aplikimit të Republikës së Kosovës në BE të procedohet me shpejtësi si dy veprime fillestare të partnerëve tanë, që do të duhej të derivojnë nga dakordimi rreth Marrëveshjes Bazike dhe aneksit të zbatimit të saj”, u theksua në njoftim./klankosova