Dy operacione antidrogë, të koduara “Foremost” dhe “Last deal”, janë finalizuar nga Seksioni për Hetimin e Narkotikëve në DVP Durrës dhe Forca e Posaçme Operacionale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Durrës.

 

 

Operacionet erdhën si rezultat i një hetimi 6-mujor, me metoda proaktive, teksa janë vënë në pranga 8 shtetas, pjesëtarë të 2 grupeve kriminale.

 

Sekuestrohen një pako me kokainë, dhjetëra doza kokaine, peshore elektronike, shuma parash të përfituara nga shitja e drogës dhe 2 automjete luksoze.

 

Në vijim të operacioneve të njëpasnjëshme për goditjen e veprimtarisë kriminale në fushën e narkotikëve, specialistët për Seksionin e Narkotikëve në DVP Durrës dhe Forca e Posaçme Operacionale në Departamentin e Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit, në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, pas një hetimi 6-mujor me metoda speciale, finalizuan me sukses 2 operacione policore antidrogë, të koduara “Last Deal” dhe “Foremost”, si rezultat i të cilëve u goditën 2 grupe kriminale që ushtronin veprimtarinë e shpërndarjes së drogave të forta, në zonën e Sukthit dhe në qytetin e Durrësit.

-Në kuadër të operacionit policor të koduar “Last Deal” u arrestuan shtetasit:

 

-G. M. (alias G. L., G. M., G. F.), 48 vjeç, i dënuar më parë;

 

-T. M., 43 vjeç, banues në Sukth, i dënuar më parë;

 

-A. H., 24 vjeç dhe A. V., 17 vjeç, të katërt banues në Sukth.

 

 

-Në kuadër të operacionit “Foremost” u arrestuan shtetasit:

 

-E. C., 25 vjeç, G. K., 23 vjeç dhe K. B., 24 vjeçe, të tre banues në Durrës, si dhe S. B., 24 vjeç, banues në Shijak.

 

 

ROLET

Nga hetimet me metoda proaktive ka rezultuar se shtetasi G. M. kishte rolin e furnitorit me lëndë narkotike kokainë, për këta shtetas, të cilët, pasi e blinin atë, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, e shpërndanin në zonën e Sukthit dhe të Durrësit, si dhe në lokalet e natës, në qytetin e Durrësit.

 

Gjithashtu, këta shtetas, për ndarjen e lëndës narkotike, kishin përshtatur ambiente të posaçme në lokalet e tyre, konkretisht në lokalin e shtetasit G. M., në zonën e Sukthit, dhe në lokalin e shtetasit E. C., në një lagje në Durrës.

 

Si rezultat i këtyre operacioneve u sekuestruan në cilësinë e provës materiale:

 

– 1 pako me kokainë, me peshë 130 gramë;

– 40 doza me lëndë narkotike të llojit kokainë;

– 3 automjete, 2 prej tyre luksoze;

– 96 mijë lekë të rinj dhe disa shuma në euro, franga dhe paund;

-3 peshore elektronike që shërbenin për peshimin dhe ndarjen e lëndës narkotike në doza të vogla, 1 dorezë hekuri dhe 14 aparate celulare.

 

Materialet hetimore do t’i referohen Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës, për veprat penale “Përshtatja e lokalit për përdorim droge”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, kryer në bashkëpunim, dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja e armëve të ftohta”.