Ministria e Arsimit dhe Sportit tashmë ka një marrëveshje të re me Universitetin “Ludwig-Maximilians” në Mynih, për mbështetjen e mësimdhënies dhe hulumtimit shkencor në degën e studimeve të Albanologjisë.
Lajmin e bëri të ditur Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi nëpërmjet një postimi në rrjete sociale, ku thotë se është mjaft entuziaste për nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, që ka si qëllim ruajtjen dhe vijmësinë e programit të studimit ‘Master në Albanologji’.
“Jam entuziaste për nënshkrimin e marrëveshjes së re me Universitetin e Mynihut ‘Ludwig-Maximilians’ Gjermani, për mbështetjen e mësimdhënies dhe hulumtimit shkencor në Albanologji, me qëllim ruajtjen dhe vijimësinë e programit të studimit ‘Master në Albanologji’ në këtë universitet”, shkruan Ministrja Kushi.
Kjo marrëveshje lidhet për një afat të pakufizuar dhe nënshkrimi i saj përkon me fillimin e studimeve për ciklin Master për sezonin pranveror.
I pranishëm në ceremoninë e nënshkrimit, ishte edhe drejtuesi i Katedrës së Albanologjisë në këtë universitet në Mynih, njëherësh lektor i gjuhës shqipe, Prof. Dr. Bardhyl Demiraj.
“Mirënjohje për Prof. Dr. Bardhyl Demiraj, lektorin dhe drejtuesin e Katedrës së Albanologjisë në Mynih, i cili vazhdon të japë një kontribut të vyer dhe rol kryesor në promovimin e vlerave të gjuhës sonë të bukur shqipe për studentët atje,” – thekson znj. Kushi.