Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky deklaroi se ende e sheh vendin e tij në rrugën e anëtarësimit në NATO, pavarësisht se lufta e Rusisë nuk tregon asnjë shenjë ndalimi pas 13 muajsh luftime.

 

”Kjo javë ka parë një lëvizje të mirë drejt NATO-s, si me ndihmën e re ushtarake nga Perëndimi ashtu edhe me mbështetjen ndërkombëtare”, tha Zelensky në video-mesazhin e tij të përditshëm nga Kievi.

 

Zelensky i referohej Lituanisë që propozoi të ftonte Ukrainën për t’u bërë anëtare e NATO-s në samitin e aleancës ushtarake në kryeqytetin Vilnius në korrik.

 

Ai e falënderoi Lituaninë.

 

Aspirata e Ukrainës për t’u bashkuar me NATO-n përmendet shpesh nga Kremlini si një nga arsyet për pushtimin e plotë të Rusisë shkurtin e kaluar.

 

Vitin e kaluar, Zelensky bëri presion për një pranim të përshpejtuar në NATO për Ukrainën, duke shpresuar për trajtim preferencial.

 

SHBA dhe anëtarët e tjerë të NATO-s, si Gjermania, kishin shprehur rezerva për këtë, duke qenë se një nga parakushtet për anëtarësim është mospërfshirja në konflikte ndërkombëtare.