Më 11 Prill në Hagë do të nisë procesi i dëgjimit të dëshmitarëve dhe paraqitjes së provave nga Prokuroria Speciale ndaj ish-udhëheqësve të UÇK-së, Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit.

 

Në rastin Thaçi janë gati 11 dëshmitarët e parë do të dëgjohen duke nisur nga kjo e martë. Prokuroria e Gjykatës Speciale të Kosovës me seli në Hagë, ka bërë të ditur se deri më tani ka siguruar mbi 300 dëshmitarë.

 

Transmetimi në publik i seancës me dëshmitarët do të bëhet me 45 minuta vonesë dhe sipas Gjykatës së Hagës, kjo ka të bëjë me çështje konfidenciale të brendshme sepse ndoshta ndonjë palë gabimisht zbulon ndonjë informatë konfidenciale gjatë procedurës dëgjimore, ndaj nëse ndodh, ato pjesë të seancës dëgjimore do të hiqen përpara se të nisë transmetimi në publik.

 

Për shpërndaje të informatave konfidenciale me qëllim për të penguar procesin ose frikësuar dëshmitarët tashmë janë dënuar Hysni Gucati e Nasim Haradinaj, të cilët kanë kryer veprat penale të zbulimit të informacionit të mbrojtur dhe kanë pasur synim të drejtpërdrejt zbulimin e identitetit të qindra dëshmitarëve dhe dëshmitarëve të mundshëm të Dhomave të Specializuara.

 

Dhomat e Specializuara i shpallën fajtorë Hysni Gucatin dhe Nasim Haradinajn për pengim të administrimit të drejtësisë, duke i dënuar me nga katër vjet e gjysmë burgim dhe me një gjobë prej 100 eurosh.

 

Mbrojtja dhe mbështetja e dëshmitarëve nga ana e Gjykatës Speciale të Kosovës ka qenë një sfidë dhe proces mjaft i komplikuar. Pikërisht frikësimi i dëshmitarëve dhe asgjësimi i mundshëm i tyre ishte një prej arsyeve pse kjo gjykatë e Kosovës ndodhet në Hagë dhe jo në Prishtinë.

 

Rrjedhja e dokumenteve ka lëkundur besimin e dëshmitarëve. Një njësi e specializuar po merret me mbrojtjen dhe mbështetjen e dëshmitarëve. Dëshmitarët do të kenë pseudonime.

 

Gjykata e Kosovës në Hagë më shumë se çdo gjykatë paraprake i kushton rëndësi mbrojtjes së dëshmitarëve, masave mbrojtëse dhe sigurisë që ata të mos ndihen të frikësuar. Janë marrë masat mbrojtëse që mbrojnë identitetin ose vendbanimin e dëshmitarëve është ndërmarrë fshirja e emrave dhe atyre ju ështe përcaktuar një pseudonim dhe nuk i ofrohen informatat publikut për identitetin.

 

Dëshmitë do të jepen përmes përdorimit të një pajisje për ndryshimin e pamjes dhe zërit. Po ashtu, dëshmitë do të ofrohen përmes televizorit me lidhje me internet me dy kanale duke i bërë të mundur dëshmitarit që të shohë edhe sallën e gjykimit dhe të personave të pranishëm, por, publiku nuk mund ta shoh atë. Nëse dëshmitari që është thirrur në mënyrë të rregullt nuk paraqitet ose nuk e arsyeton mosparaqitjen e tij ai mund të detyrohet të paraqitet dhe mund të gjobitet deri në dyqind e pesëdhjetë (250) Euro për secilën herë që ai ose ajo nuk paraqitet.

 

Nëse dëshmitari refuzon të dëshmojë edhe pasi të jetë gjobitur, ai mund të burgoset. Burgimi zgjat për aq kohë sa dëshmitari refuzon të dëshmojë apo derisa dëshmimi i tij bëhet i panevojshëm, ose derisa procedura penale të përfundojë, por nuk e tejkalon periudhën prej një (1) muaji”, parashihet me ligj. Organizata e Veteranëve të Luftës së UÇK-së njoftoi se kishte marrë më shumë se 4,000 dokumente të çështjeve të prokurorëve të Hagës, përfshirë një listë të dëshmitarëve, për të cilët organizata tha se i ishin dorëzuar në mënyrë anonime në zyrat e saj në Prishtinë.

 

Dhomat e Specializuara reaguan shpejt pas rrjedhjes së dokumenteve. Forca e sigurisë e BE-së arrestoi drejtuesit e Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së, Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj, dhe i transferoi ata në Hagë ku do të përballen me akuza. Pas rrjedhjes së dokumenteve, tani në Kosovë mbizotëron një atmosferë frike, ku ngase në të kaluarën është pretenduar se dëshmitarët në rastet për krime të luftës janë vrarë, kërcënuar dhe detyruar të ndryshojnë dëshmitë e tyre fillestare.

 

Gjykata Speciale është përgjegjëse për hetimin e krimeve kundër njerëzimit, krimeve të luftës dhe veprave të tjera penale në lidhje me pretendimet e përfshira në Raportin e Këshillit të Evropës të vitit, 2011.

 

Në raport thuhet se krimet e pretenduara u kryen nga anëtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në periudhën 1998-2000.

 

Kjo gjykatë është formuar pasi Kuvendi i Kosovës miratoi legjislacionin e nevojshëm dhe u bë plotësisht funksionale në korrik të vitit, 2017. Gjykata financohet nga Bashkimi Evropian dhe drejtohet nga stafi ndërkombëtar./KlanNews