Flamuri i Shqipërisë dhe dashuria për vendin është pika e përbashkët e Alban Beqirit, kampion i Boksit njëherazi kolonel në Forcat e Armatosura.
Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi solli sot shembullin e Alban Beqirit, që bëri histori dhe solli në shtëpi një medalje për Shqipërinë në Kampionatin Botëror të Boksit në Beograd.
“Për përkushtimin dhe punën e palodhur, u vlerësua me gradën honorifike ‘Kolonel’ dhe tashmë është pjesë e Forcave të Armatosura”, tha Peleshi.
Ndërsa vetë Albani tregon se, boksin e ka nisur që kur ishte 13 vjeç. Në karierën e tij, ai tregon se mbresëlënes janë dy kampionate ku ai është nderuar me medalje: Shpallja Kampion Ballkanik dhe Medalja e Bronxtë në Kampionatin Botëror të Boksit në Beograd.
Ai veçoi kampionatin Botëror të Boksit në Beograd, si momentin ku pati një jehonë të madhe profesionalizimi i tij nga komentatorët ndërkombëtarë të boksit, të cilët e cilësuan historike lojën e tij në ring.
“Gradimi si kolonel në FA është një arsye më shumë për të kontribuar më shumë për vendin”, thotë ai.