Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, ka vendosur të ndalojë ndërhyrjet e kolonëve hebrenj në kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor të pushtuar deri në fund të muajit Ramazan.

 

Muaji i shenjtë i Ramazanit përfundon të enjten e javës së ardhshme, më 20 prill.

 

Nga zyra e kryeministrit izraelit njoftuan se vendimi u mor pas një “vlerësimi gjithëpërfshirës” mbi situatën e sigurisë në të gjithë Bregun Perëndimor dhe Kudsin Lindor, ku morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Yoav Gallant, ministri i Sigurisë Kombëtare, Itamar Ben-Gvir, së bashku me krerët e shërbimeve të sigurisë.

 

Vendimi thekson se vizitorëve dhe turistëve hebrenj u ndalohet “të shkojnë në Malin e Tempullit (kompleksi i xhamisë Al-Aksa) deri në fund të Ramazanit”.

 

Ben-Gvir, nga ana e tij, e përshkroi vendimin si një “gabim serioz që nuk do të sjellë paqe, por rrezikon të përshkallëzojë më tej situatën e sigurisë”.

 

Të martën e javës së kaluar, rreth 800 kolonë hebrenj u futën me dhunë në vendin e shenjtë nën mbrojtje të madhe nga forcat izraelite, për të shënuar festën e Pashës hebreje.

 

Tensionet u përshkallëzuan në territoret palestineze pasi forcat izraelite bastisën kompleksin e xhamisë Al-Aksa në Kudsin Lindor dhe larguan me forcë besimtarët muslimanë nga atje.

 

Sulmet izraelite në xhami çuan në lëshimin e raketave nga Rripi i Gazës dhe Libani, me Izraelin që u kundërpërgjigj me granatime ajrore dhe artilerie.

 

Për muslimanët, Al-Aksa përfaqëson vendin e tretë më të shenjtë në botë, ndërsa hebrenjtë, nga ana e tyre, e quajnë këtë zonë Mali i Tempullit duke pretenduar se ishte vendi i dy tempujve të lashtë hebrenj.

 

Gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967, Izraeli pushtoi Kudsin Lindor, ku ndodhet Al-Aksa. Më pas, në vitin 1980, Izraeli aneksoi të gjithë qytetin, në një lëvizje që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar./AA