Kina do të vendosë një zonë të ndalim-fluturimit në veri të Tajvanit të dielën, për shkak të, siç tha Ministria e Transportit të Tajvanit, “aktiviteteve hapësinore”.
Mbyllja e qiejve vjen pasi Pekini ka kryer stërvitje masive treditore javën e kaluar përreth Tajvanit. Gjatë këtyre ushtrimeve, Kina ka simuluar goditjeve e objektivave kyçë dhe është stërvitur se si ta bllokojë këtë ishull vetëqeverisës.
Krijimi për një kohë të shkurtër të zonës së ndalim-fluturimit duket se është e lidhur me stërvitjet ushtarake. Ministria e Transportit të Tajvanit tha se Kina do të vendosë kufizime “në zonat e konvergjencës së shumë rrugëve ndërkombëtare” duke u thirrur në “aktivitete hapësinore”.
Kufizimet, sipas Tajpeit, do të jenë në fuqi për 12 orë gjatë së dielës.
Ministria e Transportit të Tajvanit tha se Kina fillimisht kishte synuar që të mbante në fuqi këtë zonë të ndalim-fluturimt për tre ditë, por pas kundërshtimeve të Tajpeit, ky vendim u rishqyrtua.
Tajvani tha se e ka informuar Kinën se “ky vendim është i paarsyeshëm dhe do të sjellë rreziqe të mëdha dhe të panevojshme gjatë fluturimit në rajon dhe do të dëmtojë të drejtat dhe interesat e aviacionit ndërkombëtar”.
“Në veri [ku do të vendoset zona e ndalim-fluturimit] ka shumë rrugë të fluturimeve ndërkombëtare, përfshirë për në Japoni, Kore të Jugut dhe në Shtetet e Bashkuara”.
Edhe Japonia tha se është njoftuar për këtë vendim të Kinës.
Megjithatë, autoritetet në Kinë nuk kanë dashur të komentojnë për këtë çështje.
Tensionet mes Tajvanit dhe Kinës janë rritur së fundmi. Stërvitjet ushtarake afër Tajvanit Pekini i mbajti në përgjigje të vizitës së presidentes tajvaneze në SHBA javën e kaluar.
Statusi i Tajvanit është i pazgjidhur që nga viti 1949, kur Lufta Civile kineze shkoi në favor të Partisë Komuniste kineze dhe Qeveria paraprake e shtetit u largua drejt ishullit. Që atëherë, Tajvani e ka konsideruan veten shtet sovran dhe ka Kushtetutën dhe liderët e tij. Kina e sheh atë si provincë të saj të shkëputur, që një ditë do ta vendosë nën kontrollin e Pekinit, qoftë edhe përmes forcës nëse është e nevojshme.
Presidenti i Kinës, Xi Jinping, ka thënë se “bashkimi” me Tajvanin “duhet të bëhet”.