Gjermania dhe Koreja e Jugut ranë dakord për të bashkëpunuar më ngushtë pas tensioneve në rritje në gadishullin Korean dhe agresionit të Kinës në Indo-Paqësorin.

 

Ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock pas vizitës së saj në Korenë e Jugut zhvilloi bisedime me ministrin e Jashtëm të Koresë së Jugut, Park Jin në Seul.

 

“Koreja e Jugut nuk është vetëm një demokraci e konsoliduar, por edhe një nga partnerët tanë më të vlerësuar jashtë Evropës”, tha Baerbock.

 

“Testet raketore të Koresë së Veriut, të cilat janë në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, nuk mund të justifikohen me asgjë dhe përbëjnë një kërcënim real për sigurinë në Paqësor dhe për vendin tuaj në veçanti”, tha Baerbock duke iu referuar tensioneve në gadishullin Korean.

 

Baerbock tha se Gjermania nuk do të shpërfillë sjelljen agresive të Koresë së Veriut dhe shkeljet e vazhdueshme të ligjit ndërkombëtar dhe se do të vazhdojë të marrë pjesë në sanksione.

 

Ajo shtoi se Gjermania mund të mësojë shumë nga Koreja e Jugut, veçanërisht duke pasur parasysh planet e qeverisë gjermane për të forcuar sigurinë ekonomike duke diversifikuar zinxhirët e furnizimit.

 

Ajo njoftoi, gjithashtu thellimin e marrëdhënieve ekonomike dhe luftën e përbashkët kundër ndryshimeve klimatike.

 

Park tha se në funksion të 140 vjetorit të marrëdhënieve gjermano-koreane këtë vit, dialogu strategjik midis dy vendeve ishte veçanërisht i rëndësishëm.”Ne kemi nevojë për një përgjigje të ashpër në nivel ndërkombëtar, duke përfshirë edhe Gjermaninë. Denuklearizimi mbetet qëllimi i Koresë së Jugut”, tha Park duke komentuar testet raketore të Koresë së Veriut, këtë javë.