Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i pranishëm në konferencën “Arritjet dhe Sfidat e Sportit në Shqipëri”, e cila bashkon në një hapësirë diskutimi aktorët kryesorë të zhvillimit të sportit, partnerë lokalë e ndërkombëtarë, ekspertë dhe sportistë elitarë e të rinj, përmendi dy nga projektet më madhore që do të realizohen për sportin në kryeqytet.

 

Ai tha se Pallati i Sportit “Asllan Rusi” dhe stadium “Selman Stërmasi” do të rindërtohen më të mëdhenj, më të fortë dhe më të bukur, si dy investime gjigante për qytetin.

 

“Shumë shpejt do të shihemi për Triathlonën në Farkë. Në tetor do të shihemi për Maratonën e Tiranës, prandaj kush ka nisur përgatitjet, ky është momenti për ta vendosur në kalendar. Pastaj, me disa të tjerë do të shihemi në përgatitjet që po bëjmë, bashkë me Fidelin, që Tirana të jetë bashkëorganizatore me Kosovën për Lojërat Mesdhetare të vitit 2030. Pastaj, do të shihemi te kampionati i tenisit, te Parku i Liqenit, ku sapo kemi liruar hapësirat për fushat. Do të shihemi edhe tek pishinat, të cilat pas 20 viteve në privat i mori në dorëzim bashkia për t’i rinovuar sepse unë besoj se ne mund ta bëjmë më mirë këtë punë. Federata e Notit nuk ka më nevojë të shkojë në hotele private, por mund të vijë në pishinat e bashkisë së Tiranës. Në fund, do të shihemi kur të hedhim themelet e dy investimeve gjigante për sportin në Tiranë. Ashtu siç ndodhi me Arenën Kombëtare, edhe Pallati i Sportit ‘Asllan Rusi’, edhe stadiumi ‘Selman Stërmasi’ do të ribëhen nga e para, më të mëdhenj, më të fortë dhe më të bukur për çunat e gocat tanë”, tha Veliaj.