Kryetari i KQZ, Ilirjan Celibashi u bëri thirrje votuesve në tri bashki të vendit ku do të votohet në mënyrë elektrike që të marrin pjesë pa hezitim në votim pasi makineria garanton fshehtësinë e votës së tyre dhe ndalon edhe votimin e familjar.

 

“Sikurse dihet tashmë, tha  - Celibashi, - Në bashkinë e Elbasanit, të Kamzës dhe në bashkinë e Vorës, zgjedhësit do të votojnë nëpërmjet pajisjes elektronike të votimit.

 

Dua ta them që në krye të herës që nga pikëpamja e sigurisë dhe e garancisë së fshehtësisë së votës, kjo pajisje ka siguri 100%. Nuk ka asnjë lloj mënyre dhe mjeti për të identifikuar votën e votuesve, me siguri të plotë garantohet fshehtësia e votës, ndaj doja t’i ftoja votuesit e këtyre tri bashkive që pa hezitim të marrin pjesë dhe të votojnë për kandidatët apo partitë që ata preferojnë pa qenë në dyshim që vota e tyre do të jetë e njohur ose e bërë publike.

 

Nëse ka një gjë që pikërisht ky sistem e ndalon, është votimi familjar, pasi para makinës mund të paraqitet vetëm një votues që nëse do të duhet, me këshillimin e një përfaqësuesi teknik të caktuar nga KQZ, do të ndihmohet në procesin e votimit, por pa u identifikuar zgjedhja e këtij votuesi qoftë edhe nga ky punonjës i KQZ. “