Pas tensioneve të shkaktuara në seancën e kaluar dhe mbylljes së seancës plenare është zyrtarizuar kërkesa e 28 deputetëve të PD për shkarkimin e kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla. Fillimisht ka qenë grupi që mbështet Enkelejd Alibeajn që kërkoi shkarkimin e kryeparlamentares. Ndërsa sot mësohet se kërkesa është firmosur edhe nga 4 deputetë që mbështesin kreun e PD, Sali Berisha.

 

Në kërkesën e deputetëve të PD theksohet se “Kryetarja e Kuvendit, Znj.Lindita Nikolla, me qëllim të vetëm mbrojtjen politike të Edi Ramës, të kapur në flagrancë nga drejtësia amerikane se ka korruptuar dhe bashkëpunuar me një agjent të FBI-së të lidhur me Rusinë, vendosi në paligjshmëri dhe arbitraritet të mbyllë Parlamentin. Për llogari të Edi Ramës, që drejtësia amerikane e faktoi para botës mbarë lidhjen e tij korruptive me një zyrtar të FBI-së, të lidhur me Rusinë, kryetarja e Kuvendit asgjësoi Parlamentin ”.

 

Sipas 28 deputetëve të PD kryetarja e Kuvendit, Znj. Lindita Nikolla, duke iu mohuar deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë të drejtën për pyetje, të drejtën për interpelancë dhe të drejtën për të diskutuar lidhur me çështjet e përfshira apo të papërfshira në rendin e ditës, ka vepruar në shkelje të rëndë të Kushtetutës së Shqipërisë dhe Rregullores së Kuvendit.