Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta priti sot në një takim kryetaren në detyrë të Prezencës së OSBE-së, Clarisse Pasztory, me të cilën tha se diskutuan lidhur me Reformën Zgjedhore.
“Shpreha vullnetin e palëkundur të Partisë së Lirisë për të dhënë kontributin e saj për një Reformë Zgjedhore të vërtetë, që i jep fund pabarazisë së votës, që realizon të drejtën e qytetarëve për të votuar të lirë, si dhe për dënimin me ashpërsinë më të madhe të veprimeve kriminale të qeverisë për blerjen e votës, presionin e saj të të gjitha formave mbi votuesit dhe shpërdorimin e financave publike dhe infrastrukturës shtetërore për qëllimet e saj”, theksoi Meta.
Kreu i PL-së, Meta bëri të ditur po ashtu se në takim kishte nënvizuar se në këtë moment të Reformës Zgjedhore, “Marrëveshja e 5 Qershorit 2020” është një bazë e rëndësishme, pasi ajo është një marrëveshje konsensuale dhe e pranuar gjerësisht nga faktori ndërkombëtar.
“Theksova detyrimin e patjetërsueshëm, që organet e drejtësisë të jenë plotësisht të pavarura, të painfluencuara dhe të çliruara nga kapja qeveritare dhe të zbatojnë vetëm Kushtetutën dhe ligjin, sepse vetëm në këtë mënyrë do të luajnë si duhet rolin e tyre ligjor në dënimin e krimeve zgjedhore”, u shpreh Meta./ata