Detaje të reja janë zbardhur lidhur me ngjarjen e masnatës së djeshme ku humbi jetën 20-vjeçari Stiven Toshkezi.

 

Burime nga grupi hetimor bëjnë me dije për Syri TV se Enzi Maze, i cili ra në prangat e policisë pak orë pas ngjarjes, ka deklaruar përpara oficerëve të policisë gjyqësore se nuk ka lidhje të drejtpërdrejtë me viktimën, por ishte vënë në dijeni të konfliktit nga shoku i tij, Aksel Hoxhaj (Axel), i cili ende ndodhet në arrati 

Enzi Maze ka shtuar se ka vetëm pak ditë që është kthyer nga Holanda ku është edhe me studime. Pasi ka takuar shokun e tij, Akselin ai i ka treguar se para disa kohësh ka pasur një konflikt me viktimën dhe pretendonte se ky i fundit e ka  rrahur.

 

Më tej Enzi Maze ka deklaruar se motivi i konfliktit të tyre ishte një vajzë, të cilën e pëlqente Akseli, dhe e kishte në të njëjtën klasë, por ajo ishte në një marrëdhënie me viktimën. Enzi Maze ka shtuar se është përpjekur t’i ndajë, por situata ka agravuar për shkak se viktima ka pretenduar se Aksel Hoxha e shqetësonte vazhdimisht të dashurën e tij.

 

Akseli njihej si person problematik në zonë dhe shkollë, ndërsa Maze ka deklaruar se miku i tij i ka shprehur se do të takoheshin me viktimën, por nuk kishin lënë një datë fikse. Ndërsa natën e ngjarjes i kanë bërë prite. Ai ka deklaruar se do shkonte me shokun vetëm për t’u sqaruar.