“Arrest shtëpie”, kjo është masa e sigurisë që ka vendosur Gjykata e Durrësit për Kleviol Ahmetin, reperin e njohur si Cllevio.

 

Ky i fundit u arrestua në 16 prill pas denoncimit të bërë nga Noizy nën akuzën se e kishte përndjekur dhe i kishte shkaktuar ankth pas kërcënimeve për jetën në rrjetet sociale.

 

Ahmeti nuk ka qenë i pranishëm në seancën gjyqësore por është përfaqësuar nga avokati i tij, Klodian Reçi i cili ka kërkuar që klienti i tij të lirohet dhe jo të merret masë tjetër ndaj tij.

 

Sa i takon akuzave të këngëtarit se është kërcënuar nga Ahmeti, avokati në mbrojtje të klientit të tij, ka thënë se Cllevio thjesht ka folur në rrjetet sociale. Ahmeti pretendon se konflikti i tij me Rajkun është i vjetër dhe se ky i fundit e kishte provokuar vetë me deklarata të tij në rrjetet sociale.

 

Arrestimi i Kleviol Ahmetit u bë në Rinas sapo mbërriti në Shqipëri. Më pas u dërgua në komisariatin e policisë së Durrësit, ku u mbajt në paraburgim.

 

Ishtë vetë Noizy që një ditë pas arrestimit tërhoqi padinë ndaj Ahmetit.