Kryeministri Edi Rama në vijim të fushatës elektorale është ndalur këtë të hënë në Durrës, ku iu ka kërkuar qytetarëve të pranishëm të votojnë kandidaten e PS, Emirjana Sako.

 

Rama ndër të tjera premtoi se në Durrës do të hapet akademia më e madhe e futbollit, ndërsa për kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë”  Igli Cara tha se mund të jetë djalë i mirë, por nuk bëhet fjalë për të bërë krushqi, por punë.

 

“Do sjellim në Durrës një nga akademitë më të mëdha të futbollit. Duam ta sjellim në Durrës, një akademi rajonale e futbollit që do të jetë për të sjellë talentet dhe më pas do të përgatiten për arenën ndërkombëtare. Paralelisht me akademinë e futbollit do të jetë dhe një shkollë e futbollit për fëmijët, që do të jetë një strukturë e mbështetur te garancia e talenteve. S’mund të themi emrin e skuadrës, por kur do ta dëgjoni, do thoni; ohu! Do e mbajmë veten. Kam nevojë për ju, se meqë keni ardhur këtu, e keni ndarë mendjen për të votuar Anin. Po kërkoj që ju të merrni shumë më tepër vota. Edhe ai tjetri mund të jetë djalë i mirë, por unë jam i martuar dhe nuk kam motër. Nuk jam këtu për krushqi. Këtu çështja është; je djalë i mirë, por a ma bën punën apo jo. Ti nuk mund të marrësh një pastrues të djathtë, që i ka duart e thara. Po qe për pastrues, merr një grua dhe jo një burrë.”, tha Rama.