Gjykata e Posaçme ka pezulluar për 1 vit procesin gjyqësor në lidhje me privatizimin e fabrikës 'Buka Sha’, derisa të arrestohet ish-ministri Arben Ahmetaj, i cili është i pandehur në këtë dosje,

GJKKO, bazuar në nenin 332/a.4 & 352/1, ka detyrimin të njoftojë personalisht të pandehurin. Në këtë rast, i pandehuri është një kërkim ndërkombëtar, dokumentuar nga shkresa e Interpolit (nuk gjendet i pandehuri). Sipas Gjykatës së Posaçme, prokura e paraqitur nga avokati nuk i referohet këtij lloj gjykimi dhe rrjedhimisht vendoset të pezullohet gjykimi për 1 vit duke urdhëruar shërbimet policore të vijojnë kërkimin.

Në dosjen e siguruar nga Report TV, SPAK rendit një sërë shkeljesh që janë bërë me dashje nga Ahmetaj, për privatizimin e Buka e cila sot njihet si qendra tregtare “Emerald”, që i solli një dëm prej 7 miliardë lekësh shtetit dhe pronarëve legjitimë, familjes Myderizi. 

Edhe pse trashëgimtari legjitim i pronës prej 7680 m2 në tokën gjithsej prej 30 mijë metrave katrorë në rrugën 5 Maji në Tiranë, ku ndodhej edhe fabrika Buka me 6370 m2 e saj, ia kujtonte vazhdimisht me shkresa vendimet e gjykatave Ahmetaj asnjëherë nuk e ndali procesin e ankandit kur në fundore përfitoi biznesmeni Lirim Fezollari, me të cilin sipas SPAK kishte njohje të gjatë.

Më 7 dhjetor SPAK mbylli hetimet dhe dërgoi në GJKKO dosjen në ngarkim të ish-zëvendës kryeministrit. 

Ish-zv.kryeministri, ndodhet në kerkim nderkombetar në kuadër të dy procedimeve të mëparshme të bashkuar në një të vetëm, për “Fshehje të pasurisë",  “Korrupsion pasiv" dhe “Pastrim parash”. Atij i janë sekuestruar disa pasuri dhe prona dhe një pjesë e tyre dyshohet të jenë vënë falë marrëdhënies me pronarët e inceneratorëve Klodian Zoto e Mirel Mërtiri që ndodhen po ashtu në kërkim.