Ndotja e ajrit shkakton vdekjen e më shumë se 1 200 personave nën moshën 18 vjeç në Evropë çdo vit, sipas Agjencisë Evropiane të Mjedisit (EEA).
“Fëmijët janë veçanërisht të prekshëm ndaj ndotjes së ajrit, që nga momenti kur janë në mitër deri në moshën madhore”, tha agjencia me bazë në Kopenhagë, duke shtuar se ajri i ndotur i vë fëmijët në rrezik më të lartë për të patur sëmundje kronike edhe në moshë madhore.
Ekspertë të EEA-s, thanë se emetimet nga transporti, industria dhe ngrohja duhet të ulen më shpejt.
Një masë praktike është përmirësimi i cilësisë së ajrit në shkolla dhe kopshte, për shembull duke krijuar më shumë hapësira të gjelbra.
“Pavarësisht përmirësimeve në vitet e fundit, nivelet e ndotësve kryesorë në shumë vende evropiane mbeten mbi kufijtë e rekomanduar nga Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH)”, sipas raportit të EEA-s.