Ka dështuar seanca e parë në themel për inceneratorin e Fierit, ku një nga shkaqet ishte mungesa e avokatit të Arenc Myrtezanit, pronar i një kompanie fiktive sipas SPAK, që ndodhet në kërkim.

 

Gjithashtu, Gjykata e Posaçme evidentoi problematikat sa i përket palëve të akuzura që në këtë proces po gjykohen në mungesë.

 

Bëhet me dije se seanca e radhës pritet të mbahet më 2 maj ora 10:00.

 

 

Në lidhje me inceneratorin e Fierit, SPAK akuzon 16 persona të tjerë, zyrtarë dhe drejtues të kompanive të lidhura me inceneratorin e Fierit për vepra penale që lidhen me ndërtimin e këtij objekti. Anëtarët e komisionit të dhënies së koncesionit, Sabina Cenameri, Florjan Muçaj, Azem Shateri dhe Erjon Murataj akuzohen për veprën penale të “Shpërdorimit të detyrës”, ndërsa supervizori  Arben Dervishaj akuzohet edhe për “Korrupsion pasiv”.

 

Ndërkohë, drejtues dhe administratorë të “Integrated Technology Ëaste Treatment Fier” sh.p.k.,“Integrated Technology Service” sh.p.k. dhe disa kompanive fiktive akuzohen për veprat penale “Korrupsioni aktiv i funksionarëve të lartë shtetërorë ose i të zgjedhurve vendorë”, në bashkëpunim, “Mashtrimi me pasoja të rënda”, dhe pastrim parash. Në listë janë Arenc Myrtezani, Loran Dusha, Giuseppe Ciaffaglione, Arjola Kodra, Arbër Denizi, Juri Ymeraj, Silvestër Driza dhe drejtues të kompanive të dyshuara fiktive Regan Merdani, Robert Shabani, Enver Sheshi e Gentian Zifla.