Türkiye kritikoi deklaratat e presidentit amerikan Joe Biden për ngjarjet e vitit 1915 midis Türkiyes dhe Armenisë.
“Sërish dolën në skenë sharlatanët politikë që përpiqen të shtrembërojnë historinë”, tha ministri i Jashtëm Mevlüt ÇavuÅŸoÄŸlu në Twitter.
"Deklaratat e motivuara politikisht nuk mund të ndryshojnë faktet", tha ministri i Jashtëm turk ÇavuÅŸoÄŸlu, duke shtuar: "Ata që këmbëngulin qëllimisht në gabimet e tyre janë të destinuar të mbahen mend si hipokritë. Askush nuk ka të drejtë të na japë leksione për historinë".
Paralelisht me këtë, Ministria e Jashtme turke hodhi poshtë deklaratat e bëra nga zyrtarë qeveritarë të disa vendeve, duke thënë se Ankaraja i konsideron ato “të pavlefshme”, duke i dënuar me termat më të ashpër ata “që këmbëngulin në këtë gabim”.
“Deklaratat fatkeqe që janë të papajtueshme me faktet historike dhe të drejtën ndërkombëtare në lidhje me ngjarjet e vitit 1915 janë përpjekje të kota që synojnë rishkrimin e historisë për motive politike”, tha ministria në një deklaratë, duke shtuar se Türkiye nuk ka nevojë t’i jepen ligjërata për historinë e saj nga kushdoqoftë.
Ajo shtoi se “ngjarjet e vitit 1915 nuk mund të përcaktohen sipas agjendave personale të politikanëve dhe konsideratave të tyre politike të brendshme”.
“Një qasje e tillë mund të çojë vetëm në shtrembërim të historisë. Ata që këmbëngulin në këtë qasje të njëanshme do të hyjnë në histori si politikanë oportunistë të pavlerë”, thuhet më tej.
Ankaraja u kërkoi gjithashtu atyre që kërkojnë të nxjerrin armiqësi nga historia për konsiderata të cekëta politike, të mbështesin propozimin e komisionit të përbashkët të historisë dhe përpjekjet rajonale të paqes dhe bashkëpunimit të udhëhequra nga Türkiye, në vend që të përsërisin gabime të tilla “të rënda”.
Qëndrimi i Türkiyes për ngjarjet e vitit 1915 është se vdekja e armenëve në Anadollin lindor ndodhi kur disa morën anën e pushtuesve rus dhe u revoltuan kundër forcave osmane. Një zhvendosje e mëvonshme e armenëve rezultoi në viktima të shumta.
Türkiye kundërshton paraqitjen e incidenteve si “gjenocid”, duke i përshkruar ato si një tragjedi në të cilën të dyja palët pësuan viktima.
Ankaraja ka propozuar vazhdimisht krijimin e një komisioni të përbashkët historianësh nga Türkiye dhe Armenia, si dhe ekspertë ndërkombëtarë për të trajtuar këtë çështje./AA