“Shqipëria është në një moment të jashtëzakonshëm për nga shumë elementë dhe po dalim nga një kthesë e madhe nga plani ekonomik”.

 

Kështu deklaroi sot kryeministri Edi Rama në një prononcim për mediet, pas mbledhjes së kryesisë së Partisë Socialiste.

 

“Ju e keni ndjekur raportin e fundit të Bankës Botërore dhe përpos analizës së qëndrueshmërisë së ekonomisë, fakti që ne jemi në momentin që kemi nisur rritjen e pagave në këto 3 dekada, flet qartë për qëndrueshmërinë e ekonomisë. Prill më prill ka filluar dhe do të përfundojë kurba, që do e çojë pagën mesatare në 900 euro”, theksoi Rama.

 

Kryeministri Rama u shpreh se, “përtej parashikimeve në programet elektorale, jo vetëm në programin tonë elektoral të 2021, por edhe në programin elektoral të PD-së të asaj kohe ku paga minimale parashikohej të arrinte në 38 mijë lekë brenda 2025, ndërkohë që sot jemi në 40 mijë dhe brenda 2025 duam të shkojmë në 45 mijë lëkë”.

 

Por, vijoi Rama, “ambicia jonë është që më shpejt se vonë të arrijmë në 60 mijë lekë pagë minimale”.

 

“Fakti që jemi në kushtet kur thuajse i kemi dyfishuar të ardhurat për frymë nga 3300 euro që i kishim kur e nisëm këtë rrugëtim në 6400 euro. Ambicia jonë është që patjetër të prekim 10 mijë eurot në rrugën drejt Shqipërisë 2030. Këto fakte flasin për një moment jashtëzakonisht të rëndësishëm dhe domosdoshmërinë për të shkuar përpara”, tha Rama.