Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) reagoi sot me anë të një sqarimi publik pas njoftimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier se ka dënuar 2 kryeinspektorë dhe 2 inspektorë të IKMT.
IKMT sqaron se, “Inspektorati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit (IKMT) dhe Inspektorati i Mbrojtjes së Territorit (IMT) janë dy institucione të ndryshme. IKMT është institucion qendror në varësi të Ministrisë së Brendshme të Shqipërisë, ndërsa IMT është institucion në varësi të bashkive përkatëse”.
“Për sqarim publik duhet të theksojmë se IKMT ka 12 drejtori rajonale në të gjithë territorin e Republikës së Shqipërisë, ku Drejtoria Rajonale IKMT e Qarkut të Fierit gjendet në qendrën e Qarkut, pra në Fier dhe jo në qytetin e Lushnjës”, thekson IKMT.
“Ky sqarim publik vjen si rezultat i njoftimit të Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, dërguar mediave, lidhur me dënimin e 12 personave nga Gjykata e Lushnjës për 37 ndërtime të paligjshme mes viteve 2019-2022, ku mes tyre përmenden edhe 2 kryeinspektorë dhe 2 inspektorë të IKMT (Inspektoratit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit)”, njofton IKMT.
“Ky njoftim i Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë e Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, është pasqyruar në disa prej web-eve të mediave kryesore në vend si dhe në raportim të drejtpërdrejtë gjatë edicionit informativ”, bëri të ditur IKMT.
“Në vendimin e Gjykatës së Shkallës së Parë Lushnjë, sipas njoftimit të Prokurorisë, bëhet fjalë për punonjës të IMT, pjesë e Bashkisë Lushnjë”, përfundon sqarimi i IKMT./ata