Në 2023, pagat e 12 120 punonjësve të Gardës së Republikës dhe Policisë së Shtetit u rritën me 7%. Rritje që pritet të vijojë 21-35% deri brenda prillit 2024.

 

Kështu theksoi sot kryeministri Edi Rama, në një postim në rrjetet sociale, ku solli në vëmendje rritjen e pagave për këta punonjës.

 

“Respekt për djemtë dhe vajzat tona që zgjodhën dhe do vazhdojnë të bëjnë këtë detyrë fisnike që nuk është aspak e lehtë”, tha Rama.

 

Një punonjëse e Policisë së Shtetit në videon e publikuar nga Rama tha se, “puna jonë ka qenë gjithmonë e qartë, të mbrojmë bashkëqytetarët tanë dhe të sigurohemi që ata të jetojnë në një shtet të sigurt. Por të qenit punonjëse policie nuk ka qenë asnjëherë e lehtë. Ne e dimë se sa shumë rrezikojmë, ndërsa me krenari veshim uniformën blu”.

 

“Prandaj vendimin për pagën ne e mirëpritëm. Djemtë dhe vajzat do ta vlerësojnë, madje kjo shpresoj të motivojë shumë të rinj dhe të reja t’i bashkohen forcës. Shteti ynë ka nevojë për ne, tani më shumë se kurrë”, tha punonjësja e Policisë së Shtetit.

 

Reforma e qeverisë për rritjen e pagave, që do të bëjë të mundur rritjen historike të pagave në sektorin publik, parashikon një rritje të konsiderueshme pagash në Gardën e Republikës dhe Policinë e Shtetit në harkun e një viti.