Kryetari i komanduar i PD-së, Enkelejd Alibeaj deklaroi mbrëmjen e djeshme se ndarja përfundimtare me Sali Berishën ndodhi kur ai bëri koalicion me Partinë e Lirisë të drejtuar nga Ilir Meta.
Gjatë një interviste televizive, Alibeja tha se rrugët me Berishën u ndanë kur, siç shprehet, “u strehua në një parti të majtë”.
“ Momenti politik i cili bëri ndarjen finale nuk ishte 8 Janari edhe pse i shëmtuar ishte, nuk ishte 30 Prilli, nuk ishte Tetori i vitit të kaluar kur dolëm, ishte momenti kur Sali Berisha mori dhe shkoi e u strehua tek një parti e majtë, Ilir Meta. Aty ndahen rrugët përfundimisht. Ajo që do ndodhë jo nga unë, por nga gjithë kolegët e mi është që ne ndërtojmë një PD të rinovuar në koncept, në ideologji dhe në mënyrën e funksionimit. Kjo periudhë e zgjedhjeve dhe ajo që do të vijë më pas e kërkon e ka të nevojshme një tur sqarimi me të gjithë demokratët, edhe falenderimi madje sepse për qëndresën e madhe që ata kanë bërë, ndoshta edhe ndjese nga ana jonë që për 1 vit e ca ndoshta u dukëm paksa të tërhequr, por të thashë arsyen se përse”, deklaroi ai.