Policia tajlandeze ka vënë në pranga një grua të dyshuar për vrasjen e 12 miqve dhe të njohurve të saj duke i helmuar me cianid.

 

Mediat e huaja bëjnë me dije se, Sararat Rangsiwuthaporn u arrestua në Bangkok ditën e martë, pas hetimeve të fundit për vdekjen e një shoku.

 

Familja e viktimës kishte ngritur dyshime pasi ajo vdiq në një udhëtim me Sararatin në fillim të këtij muaji.

 

Pas hetimeve, policia tha se besonte se Sararat kishte vrarë edhe 11 persona të tjerë, duke përfshirë një ish të dashur.

 

Dy javë më parë, ajo kishte udhëtuar me shoqen e saj në provincën Ratchaburi, në perëndim të Bangkok, ku kishin marrë pjesë në një ritual të mbrojtjes budiste në një lumë, tha policia.

 

Menjëherë pas kësaj, shoqja e saj Siriporn Khanwong u rrëzua dhe vdiq në bregun e lumit.

 

Gjurmët e cianidit u gjetën në trupin e saj gjatë autopsisë, tha policia.

 

Autoritetet thanë se viktimat e tjera të vrasjeve që nga viti 2020, supozohet të kenë vdekur në mënyrë të ngjashme, por nuk dhanë informacione të mëtejshme.

 

Gjatë identifikimit të të gjitha viktimave, mes të vdekurve autoritetet kanë zbuluar ish-partnerin e Sararatit, si dhe dy police femra.

 

Policia tha se Sararat i njihte të gjitha viktimat dhe ajo mund të ketë qenë e motivuar për arsye financiare.

 

Një shoqe, për të cilën policia beson se ishte në shënjestër, i kishte dhënë asaj hua 250,000 baht (5,900 £; 7,300 dollarë. Gruaja kishte të vjella dhe i kishte rënë të fikët pasi kishte drekuar me Sararatin, por mbijetoi.

 

Ndërkohë nga mediat e huaja bëhet me dije se autoritetet tajlandeze kanë mohuar lirimin me kusht të saj.

 

Cianidi mund të zbulohet në kufoma disa muaj pas vdekjes, nëse është përdorur një sasi vdekjeprurëse.

 

Helmi bllokon qelizat e trupit nga oksigjeni, i cili mund të shkaktojë sulme në zemër. Simptomat e hershme përfshijnë marramendje, gulçim dhe të vjella.

 

Përdorimi i tij në Tajlandë është i ndaluar dhe ata që zbulohen se kanë akses të paautorizuar përballen me dy vjet burg.