Forcat amerikane dhe britanike me mbështetjen e aleatëve të tjerë kryen sulme të hënën kundër tetë objektivave të grupit Houthi në Jemen në përgjigje të sulmeve në Detin e Kuq, sipas një deklarate të përbashkët.

"Ushtarët e Shteteve të Bashkuara dhe Mbretërisë së Bashkuar, në drejtimin e qeverive të tyre përkatëse me mbështetjen e Australisë, Bahreinit, Kanadasë dhe Holandës, kryen një seri tjetër sulmesh proporcionale dhe të nevojshme kundër tetë objektivave Houthi në Jemen në përgjigje të sulmeve të vazhdueshme të Houthive kundër anijeve ndërkombëtare dhe tregtare, si dhe anijeve detare që kalojnë tranzit në Detin e Kuq”, thuhet në deklaratë.

Sulmet precize kanë për qëllim të shkatërrojnë aftësitë që Houthitë përdorin për të kërcënuar tregtinë globale dhe jetën e marinarëve, thuhet më tej.

Sulmet gjithashtu janë në përgjigje të një sërë veprimesh "të paligjshme, të rrezikshme dhe destabilizuese" të Houthive që nga sulmet e koalicionit më 11 janar, duke përfshirë sulme me raketa balistike kundër anijeve dhe sisteme ajrore pa pilot që goditën dy anije tregtare në pronësi të SHBA-së, shton deklarata.

“Sulmi kishte në shënjestër në mënyrë specifike një depo nëntokësore të Houthive dhe vendndodhjet e lidhura me aftësitë e raketave dhe të mbikëqyrjes ajrore të Houthive”, thuhet në deklaratë.

Tensionet janë përshkallëzuar në Detin e Kuq mes sulmeve të Houthive ndaj anijeve tregtare të destinuara për në Izrael.

Houthitë thonë se sulmet e tyre synojnë të bëjnë presion ndaj Izraelit për të ndalur sulmet vdekjeprurës në Rripin e Gazës, të cilat kanë vrarë më shumë se 25.295 njerëz që nga ofensiva ndërkufitare e 7 tetorit nga grupi palestinez Hamas.

SHBA-ja dhe Britania e Madhe nisën sulmet ajrore kundër objektivave Houthi në Jemen ditët e fundit në hakmarrje për sulmet, të cilat kanë krijuar frikën e një periudhe të re inflacioni dhe ndërprerje të zinxhirit të furnizimit./aa