Një nxehtësi vrastare ka goditur Spanjën, me vendin që po përjeton temperatura që zakonisht konstatohen në kulmin e sezonit veror.
Meteorologët druhen se termometri mund të ngjitet mbi 38 gradë Celsius, më e larta për muajin prill që nga nisja e regjistrimit të temperaturave.
Kjo do të thotë se do të jetë 10 deri në 15 gradë Celsius më ngrohtë nga sa parashikohet për këtë periudhë të vitit.
Temperaturat po ngrihen nga një masë ajri të nxehtë që vjen nga Afrika, shoqëruar me ndryshimin e ngadaltë të sistemit meteorologjik.
Ati ishin 37 gradë në Sevilje ditën e mërkurë, ndërkohë që në ditët e ardhshme pritet të arrijnë në 40 gradë në rajonin që përfshin qytetin Kordoba.
Shkollat do të lejohen të përshtatin oraret mes tyre për të shmangur kulmin e vapës. Në metronë e Madridit do të ketë më shumë trena se zakonisht, me qëllim shmangien e pritjeve të gjata në platformë, ndërsa pishinat publike pritet të hapen një muaj më herët se zakonisht.
Ekspertët kanë shprehur shqetësimin e tyre, pasi ky nivel temperaturash nuk është normal. Cristina Linares, shkencëtare pranë institutit shëndetësor “Carlos III”, paralajmëroi për impaktin që i nxehti do të ketë tek shtresat e varfra. Sipas saj, varfëria është faktori kyç kur sqarohet përse ka më shumë vdekje në kohë temperaturash ekstreme.
Por vala e të nxehtit po prek edhe shumë shtete në rang global, pasi ndryshimet e klimës po e përkeqësojnë situatën, duke çuar në rritjen e temperaturave.