Ministria turke e Mbrojtjes ka njoftuar se është hapur zjarr me armë të lehtë ndaj avionit të tyre të tipit C-130 që ka shkuar në Sudan për evakuimin e qytetarëve turk të mbetur në vend.

 

"Ndaj avionit tonë të evakuimit C-130 që ka shkuar në Wadi Seidna​​​​​​​ për të evakuuar qytetarët tanë të mbetur në Sudan, ku vazhdojnë përleshjet, është hapur zjarr me armë të lehtë. Avioni ka kryer në mënyrë të sigurt uljen. Në mesin e personelit nuk ka të plagosur, ndërsa po kryhen kontrollet e nevojshme", thuhet në njoftimin e ministrisë.

 

Sipas Ministrisë sudaneze të Shëndetësisë, që nga 15 prilli të paktën 512 njerëz janë vrarë dhe më shumë se 4.000 të tjerë janë plagosur në përleshjet midis ushtrisë sudaneze dhe forcave paraushtarake.

 

Një mosmarrëveshje është shfaqur muajt e fundit midis ushtrisë dhe Forcave paraushtarake të Mbështetjes së Shpejtë (RSF) në lidhje me reformën e sigurisë ushtarake.

 

Reforma parashikon pjesëmarrjen e plotë të RSF-së në ushtri, një nga çështjet kryesore në negociatat me palët ndërkombëtare dhe rajonale për një tranzicion në një sundim civil dhe demokratik./AA