Ish-kandidati presidencial francez Jean-Luc Melenchon theksoi se Izraeli nuk ka "të drejtë vetëmbrojtjeje" në Gaza për shkak se ai ndodhet në pozicionin e pushtuesit.

Melenchon foli për sulmet e Izraelit në Gaza në konferencën me temë "Franca dhe Koha Politike në Botë" të publikuar në kanalin e tij në YouTube.

Nëse arrihet armëpushim në Gaza, ai do të jetë efektiv edhe në jug të Libanit edhe në Detin e Kuq, tha Melenchon, i cili rikujtoi se kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu i cilëson si "vetëmbrojtje" sulmet e vendit të tij në Gaza.

"Sipas ligjit ndërkombëtar, Izraeli nuk ka të drejtë vetëmbrojtjeje në Gaza për shkak se ai ndodhet në pozicionin e pushtuesit", tha ai.

Politikani francez theksoi se zyrtarët e Kombeve të Bashkuara (OKB) janë të detyruar të zbatojnë vendimin që do të jepet në rastin e "gjenocidit" të ngritur nga Afrika e Jugut kundër Izraelit në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë (GJND).

Në Gaza kanë ndodhur 4 nga 5 pikat që përcaktojnë krimin e gjenocidit, deklaroi Melenchon, i cili tërhoqi vëmendjen se në rajon ndodhin vrasje për arsye etnike ose fetare, është dëmtuar rëndë tërësia fizike dhe shpirtërore e njerëzve, dhe qytetarët e Gazës po u nënshtrohen kushteve të jetesës që mund të shkaktojnë shkatërrim të pjesshëm ose të plotë të një populli dhe gjithashtu po pengohen lindjet e tyre.

Duke theksuar se në Gaza mijëra njerëz të pambrojtur janë masakruar, janë zhvendosur dhe janë bombarduar spitale dhe shkolla, Melenchon ndër të u shpreh se "çdo lloj krimi i kryer në çdo lloj situate, nuk mund të legjitimojë gjenocidin"./aa